Përtej mitit për Normalen, vlera që i shërbejnë së tashmes

  • Prof. Dr. Tomorr Plangarica Akademia e Studimeve Albanologjike

Abstrakt

Shkolla Normale e Elbasanit është ndër ato institucione arsimore (gjithsesi jo të shumta), themelimi i së cilës u shoqërua njëherazi edhe me lindjen e mitit për të. Ndodhte ky asosacion fatlum, sepse ajo u konsiderua që në lindje si përmbushje e një dëshire që kishte dhjetëra vite që përvijohej e, për më tepër, e një shprese që rrokte jo thjesht hapësira të edukimit e arsimimit, por shumë më gjerë: të patriotizmit që duhej mëkuar, të intelektualizmit që duhej kultivuar, të shkencës që duhej themeluar e dijes që duhej përhapur në mjedise shumë më të gjera se në një institucion, një qytet a një trevë. Dhe kjo dëshirë, ky entuziazëm motivues veçse u materializua nëpërmjet breza pedagogësh e studentësh të atij institucioni; e për pasojë, veçse i përforcoi e zgjeroi përmasat e mitit për të.

Dhe në fakt, Normalja ishte një institucion që, qysh prej krijimit të tij më 1909-ën e për disa dhjetëvjeçarë në gjysmën e parë të shekullit XX, i tejkaloi përmasat e një shkolle të mesme. Në kushtet e kohës, Normalja u përvijua si institucion që synoi të vinte bazat e intelektualizmit dhe të profesionalizmit te një kontigjent nxënësish të ardhur nga tërë hapësira kombëtare; ishte një institucion që kishte përfaqësuesit e tij në shumë prej majave të mendimit psiko-pedagogjik shqiptar të kohës; një institucion që përballoi me sukses problemet e hartimit të teksteve dhe kontribuoi në mendimin tekstologjik; një institucion në të cilin herë kolektivisht, e herë individualisht, u hartuan programet mësimore për cikle të caktuara shkollimi dhe zbërthimet metodike të tyre; një institucion me një organ botues për vite me radhë; një institucion që përfaqësohet në botimet e viteve 20-40 të shekullit XX me mbi 30 firma studiuesish; një institucion që inicioi në shtyp mbi 100 firma studentësh, prej të cilëve u afirmuan më tej mbi 30; një institucion që mundësoi një plejadë të tërë intelektualësh që trajtuan apo u prirën drejt zgjidhjes së shumë prej problemeve mbizotëruese të mendimit pedagogjik, psikologjik apo të aspekteve të zbatuara të shkencave të tilla si gjuhësia, letërsia, historia, matematika etj.

Downloads

Download data is not yet available.
Seksioni
Artikujt
Botuar
2020-03-03
Si të Citoni
Plangarica, T. (2020). Përtej mitit për Normalen, vlera që i shërbejnë së tashmes. Revista Albanon, 4(4), 4-9. Retrieved from http://albanica.al/revistaalbanon/article/view/88
Numri i leximeve: 76
Numri i shkarkimeve: 4

Downloads

Download data is not yet available.