Elbasanishtja me syrin e një gjermani - Rrëfim i Gustav Weigand-it
DOI:
https://doi.org/10.54273/ra.v1i3.119Abstrakti
Shqipen fillova ta studioj teorikisht me gramatikën e G. Meyer, pastaj praktikisht vazhdova në Manastir te zoti Qiriazi, me të cilin u njoha dhe ushtrova toskërishten. Në dimrin e vitit 1889- 1890 në Athinë me një student nga Elbasani, Efraim Gjini, u njoha me të folmen e Elbasanit, që i përket dialektit të gegërishtes jugore. Më vonë mbajta në universitet shumë kurse mbi gramatikën dhe historinë e gjuhës shqipe. Eksperienca që fitova gjatë këtyre kurseve, ma bëri të qartë se mungonte një mjet i rëndësishëm që siguron suksesin, një gramatikë praktike e gjuhës shqipe. Si gramatika e
G. Meyer, ashtu dhe Gramatika e Gj. Pekmezit, botuar në vitin 1908, nuk janë të përshtatshme për këtë funksion. Prandaj mora përsipër ta kryeja vetë këtë detyrë. Në vitin 1909, në verë, shkova në Durrës, Tiranë dhe Elbasan. Atje bëra studimet e nevojshme, mbi bazën e të cilave ndërtova gramatikën. Në pranverën e vitit 1912 u nisa prapë për në Elbasan. Këtë udhëtim, ashtu si dhe udhëtimin e parë e mbështeti financiarisht fondacioni “Albrecht” (të cilin e falenderoj përzemërsisht). Udhëtimi në Elbasan kishte për qëllim plotësimin e gramatikës së konceptuar dhe korrigjimin e vendeve të caktuara në tekst. Duhej që gjithçka e konceptuar dhe e shkruar nga një joshqiptar të kishte një pamje korrekte shqipe. Zoti Simon Shuteriqi i kaloi me mua të gjitha materialet e paraqitura. Një ndihmë të madhe më ofroi dhe kryeprifti, papa George Germanos. Si herën e parë dhe herën e dytë më siguroi një banesë mikpritëse. Banorët e tjerë të shtëpisë, ku gjendej banesa ime, si dhe vizitorë të rastit, miq e të njohur të tjerë më ndihmuan në punën time duke bërë të mundur shmangien e informacionit të njëanshëm.