Albanologu Kristian Gyt

Autorët

  • Prof. Dr. Remzi Përnaska
  • Prof. Dr. Tomorr Plangarica Akademia e Studimeve Albanogjike

DOI:

https://doi.org/10.54273/ra.v1i4.128

Abstrakti

Dhe diku, në një cep të tavolinës së punës së albanologut, disa fletë të përkthimit në frëngjisht të pjesës shtesë të Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo të sapodërguar në shtëpinë botuese franceze duket se mezi ç’presin të renditen në dosjen e romanit të plotësuar tashmë edhe në frëngjisht; heshturazi, ato fletë të shkruara dëshmojnë përmbushjen e premtimit nga ana e albanologut; pranë tyre një fletore, me një medaljon me portretin e Dritëroit në kopertinë, dërguar në këtë fundnëntor nga vajza e Dritëroit, si shenjë mirënjohjeje e përmallimi ndaj albanologut; … dhe pranë saj, edhe një gotë e mbushur përgjysmë me raki mani të Boboshticës duket se pret të trokitet sërish mes dy miqve, si dikur kur diskutonin për histori e letërsi, zakone e tradita të atij populli që Dritëroi i përkiste dhe i këndonte, e ndaj të cilave albanologu mbeti i tërhequr gjithë jetën e u mundua t’ia dhurojë e bëjë të ditur edhe francezëve në gjuhën e tyre; e në cepin tjetër të tavolinës së punës, i hapur në një faqe nga fundi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, të cilin albanologu e solli në frëngjisht, me durimin e këmbënguljen e atij që imtësitë i kushtojnë më shumë se e tëra, një punë pothuaj pesëmbëdhjetë vjeçare. Diçka i ka ardhur në mendje në këto ditë të ligështimit të skajshëm trupor dhe ka dashur ta verifikojë; ndoshta ende një imtësi për të drejtën zakonore shqiptare për të cilën ka vite që studion e shkruan.

Dhe aty përballë, pranë dëshmive të shumta të vlerësimit të punës së tij nga shteti francez, pranë titujve e dekoratave Kalorës i Urdhërit Kombëtar të Legjionit të Nderit (Chevalier de l’Ordre national de la Légion d’honneur), Kalorës i Urdhërit Kombëtar të Meritës (Chevalier de l’Ordre national du Mérite), Oficer i Arteve dhe Letrave (Officier des Arts et des Lettres), ja dhe dëshmitë si Anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Profesor i jashtëzakonshëm i Universitetit «Aleksandër Xhuvani» të Elbasanit, Doktor Honoris Causa i Universitetit të Tiranës, Qytetar nderi i qytetit të Elbasanit.

Është aty në studion e tij mes mijëra librash, madje të tillë edhe qindravjeçarë; diku në rafte, mes librave tejet të vjetër në formë dorëshkrimesh, ka edhe librin e parë të Gutenbergut; por në ditët e ligshtisë së madhe trupore, kënaqësinë e gjen te pasioni e dashuria për kulturën e popullit të vogël shqiptar; popull i vogël, por që diti të ketë monumente të mëdha; ndaj edhe në ato ditë të fundme lexon etshëm e shkruan me dorën e lodhur për atë histori, sikur kërkon të bartë sa më shumë informacion me vete në udhëtimin astral të cilin e pret gjakftohtë dhe me shpërfillje, për të qenë atje, “përtej” përgjithnjë me këtë dashuri të jetës.

Dhe duket se i tillë udhëtoi shpirti i tij më 26 nëntor 2018, kur albanologu Kristian Gyt ndërroi jetë.

Fjalët kyçe:

Revista Albanon

Shkarkimet

Download data is not yet available.

Metrics

Metrics Loading ...

Downloads

Botuar

2021-10-17

Si të citoni

Përnaska, R. and Plangarica , T. (2021) “Albanologu Kristian Gyt”, Albanon. Elbasan, Albania, 1(4), pp. 50–58. doi: 10.54273/ra.v1i4.128.

Numri

Seksioni

Artikujt