Copëza malli, të një malli të pafund

për librin Copëza malli, Kujtime, rrëfime, të Bim Daklit

Autorët

  • Prof. Dr. Tomorr Plangarica Akademia e Studimeve Albanogjike

DOI:

https://doi.org/10.54273/ra.v1i1.71

Abstrakti

Kujtimet dhe rrëfimet e jetës janë përgjithësisht udhëtime të bukura në hapësirat herë më të ngushta e herë më të gjera nëpër të cilat individi është endur përgjatë jetës së tij; udhëtime në ato hapësira prej të cilave ai vetë ka marrë nxitje, emocione, mbresa e shtytje që i mbeten të pashlyeshme në kujtesë, e si të tilla, në një kohë të mëvonshme kërkojnë të dalin prej kujtesës për t’u pronësuar në formën e copëzave të mallit edhe nga të tjerë, familjarë a të afërt të individit, bashkëkohës a pasues në kohë të tij: si të tilla, ato mund të ndjellin të njëjtat ndjesi edhe te të tjerët; janë mesazhe të cilat mund të rrinë disi ngushtë thjesht në kujtesën e një individi; jehona e tyre kërkon hapësirë më të gjerë për t’u vlerësuar për brendinë e vlerën që ato përçojnë. Ndaj, edhe pse lindin e përftohen të lidhura me një individ, me një mjedis familjar a rreth më të ngushtë shoqëror, ato jo pak herë tentojnë dhe pronësohen nga një numër shumë më i gjerë kundruesish, dëgjuesish, e në rastin më të mirë, lexuesish.

Marrja në dorë e librit me kujtime e rrëfime Copëza malli, i shkruar nga Bim Dakli, leximi dhe endja bashkë me rrëfyesin në hapësira të gjera ndodhish e përfytyrimesh në kohë e vende të ndryshme, të njohura a jo prej nesh, na ndihmon të njohim e të zbulojmë gjithashtu edhe te vetja diçka të lidhur me to, shumëçka që nxitet prej tyre; na ndihmon të përftojmë së bashku me të ndjesi që mund të na çojnë herë në fëmijërinë tonë të hershme, herë në rini ; na ndihmon të endemi po ashtu edhe në hapësira ku kanë marrë kuptim tregues të rëndësishëm të qenies sonë, të përkatësisë sonë, edhe pse ato hapësira mund të mos jenë të njëjtat me ato të rrëfyesit ; e në këtë rast, kjo marrëdhënie u ngjan raporteve që krijojmë me ndodhitë në një shfaqje teatrale, ku edhe pse në vendin e spektatorit, ndjehemi gjithsesi, më së paku, dëshmitarë e përjetues të ngjarjes e veprimeve ; e hera-herës, pse jo, edhe përjetues edhe më shumë se vetë aktorët në skenë. Vendet e zhvillimit të veprimit, të përqendruara kryesisht në Elbasan e Tiranë, jo pak herë edhe në vise të tjera deri në Itali, Austri por edhe më gjerë, shndërrohen natyrshëm në hapësira në të cilat lëviz lirshëm rrëfyesi, por edhe ne të tjerët, duke përftuar një simbolikë të vlefshme edhe për sot.

Fjalët kyçe:

Revista Albanon

Shkarkimet

Download data is not yet available.

Metrics

Metrics Loading ...

Downloads

Botuar

2020-05-21

Si të citoni

Plangarica , T. (2020) “Copëza malli, të një malli të pafund: për librin Copëza malli, Kujtime, rrëfime, të Bim Daklit”, Albanon. Elbasan, Albania, 1(1), pp. 84–96. doi: 10.54273/ra.v1i1.71.

Numri

Seksioni

Artikujt