Mbi kombësinë
DAVID MILLER, Prishtinë, CUNEUS (2022, ISBN 978 -9951602341)
Abstrakti
Libri Mbi kombësinë i autorit David Miller u botua për herë të parë në vitin 1995 (Oxford: Clarendon Press) dhe pas një çerekshekulli ai botohet edhe në gjuhën shqipe me përkthimin e Greta Avdylit. David Miller, i cili në atë kohë, ishte profesor i teorive politike në Universitetin e Oksfordit, bën një përsiatje filozofike mbi kombin dhe identitetin kombëtar, duke diskutuar mbi “parimin e kombësisë”. Sipas tij, ky parim nuk bie ndesh me parimet e lirisë individuale e as barazisë apo drejtësisë sociale, siç pretendohej
nga shumë mendimtarë politikë të kësaj periudhe, përkundrazi kontribuon dhe i forcon ato. Kjo, pasi kombësia nuk duhet barazuar me ideologjinë nacionaliste. Gjithashtu ajo nuk i përjashton identitetet tjera kolektive (etnike, fetare, kulturore etj.). Thelbësore për ”parimin e kombësisë” dhe për atë çka e përbën kombësinë, janë tre qëndrime apo propozime kryesore, të ndërvarura e të ndërthurura mes tyre; qëndrimi subjektiv, etik dhe qëndrimi politik.