Në këtë numër do të gjeni katër kontribute studimore të natyrës antropologjike, historike, etnomuzikologjike dhe të gjuhësisë që shtrihen në një gjeografi ballkanike shqipfolëse. Fillojmë me Kosovën. Arsim Canolli reflekton mbi disa aspekte të mendimit etnologjik të Mark Krasniqit, një figurë e spikatur e kësaj fushe në Kosovë. Më tej, vjen Edmir Ballgjati, i cili përqendrohet te mënyra si kënga tradicionale qytetare shkodrane u administrua institucionalisht gjatë periudhës socialiste. Kontributi i tretë është ai i dy autorëve çekë: Lenka J. Budilová dhe Marek Jakoubek. Ata sjellin një panoramë historike mbi hulumtimet antropologjike, teorive dhe koncepteve që kanë pasur në fokus territorin gjeopolitik të Ballkanit. Ndërsa Bukurie Mustafa paraqet një vëzhgim etnografik të bazuar mbi të folmen e Rekës së epërme, të Maqedonisë së Veriut.
Në rubrikën Varia, botojmë kontributin e Arsim Canolli dhe Nebi Bardhoshi mbi antropologjinë në Kosovë, kontribut i prejardhur nga konferenca dhe vëllimi me të njëjtin titull, realizuar dhe botuar pranë IAKSA-së në kuadër të 20 vjetorit të Luftës së Kosovës. Kjo vjen si përpjekje për të bërë bashkë reflektimet mbi kërkimin antropologjik në Kosovë. Në revistë do të gjeni edhe një informacion të detajuar mbi dy projekte internacionale kërkimore që po zhvillohen në IAKSA aktualisht nga Federica Pompejano dhe Carrie Ann Morgan.