Fondet e gjykatave të sheriatit në arkivin e Kosovës dhe rëndësia e tyre
Abstrakti
Në Kosovë, e cila dhunshëm një herë kishte mbetur në kuadër të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (1918-1929), më pastaj të Mbretërisë Jugosllave (1929-1941), banorët e konfesionit mysliman çështjet nga domeni i statusit të tyre personal, më pastaj nga e drejta familjare, nga e drejta e trashëgimisë dhe çështjet që lidheshin me institucionet e vakëfeve (lega-tave), i kanë zgjidhur përmes rregullave të së drejtës së Sheriatit. Për këtë arsye qenë organizuar edhe organet e veçanta shtetërore - gjykatat e Sheriatit, të cilat, në të vërtetë, ishin pjesë e gjykatave shtetërore dhe kishin ngjashmëri me to. Këto gjykata janë themeluar edhe në vendet e tjera në kuadër të këtij sistemi e që kishin popullsi të konfesionit mysliman, si në Maqedoni, Mal të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë. Ekzistonin gjykatat e Sheriatit të rretheve ose të shkallës së parë dhe gjykatat e shkallës së dytë apo gjykatat Supreme të Sheriatit.
Aplikimi i së drejtës së Sheriatit në Kosovë qoftë edhe më herët gjatë sundimit osman, qoftë edhe midis dy luftërave botërore, deri më sot nuk ka qenë temë studimi nga studiuesit tanë, megjithëse kjo e drejtë është aplikuar në një periudhë të gjatë. Ende ekziston një numër i madh i dokumenteve që kanë të bëjnë me këtë fushë. Vetëm në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës ruhen disa fonde me mijëra dokumente të hartuara nga kancelaritë e gjykatave të Sheriatit të cilat kanë vepruar në Kosovë midis dy luftërave botërore dhe të cilat dokumente shumë pak janë hulumtuar dhe nuk janë marrë në shqyrtim. Nëpërmjet këtij punimi synoj të paraqes disa të dhëna pikërisht nga këto dokumente dhe nga burime të tjera për rolin dhe veprimtarinë e këtyre gjykatave, si dhe t’i paraqes edhe fondet e këtyre gjykatave që ruhen në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.