Institucionet arkivore kombëtare dhe nevoja e trajnimit të vazhdueshëm për rritjen e cilësisë të punonjësit arkivor
Abstrakti
Arkivi dhe arkivistika shqiptare në tri dekadat e fundit kanë pësuar transformime të ndjeshme dhe të rëndësishme. Transformimet e Arkivit Shtetëror Shqiptar janë produkt i ndryshimeve thelbësore të shoqërisë shqiptare pas viteve 1990. Në Shqipëri arkivat si institucione dhe shkenca e arkivistikës kanë njohur hope sasiore dhe cilësore në planin institucional, të shtrirjes territoriale, të ndryshimeve të raportit me qytetarin dhe studiuesin. Për shkak të “misionit historik”, arkivat shqiptare vlerësohen si misione shumë të rëndësishme në përmbajtje të të cilave qëndron përmirësimi i raporteve midis kujtesës kombëtare dhe nevojave të shoqërisë. Prandaj kohë pas kohë ka lindur edhe nevoja e trajnimit, kualifikimit të arkivistit dhe stafeve arkivore kombëtare. Përshtat misionit të arkivistit dhe arkivave “si përkujdesje për trashëgiminë historike dhe transmetimit të saj brezave”, DPA si institucioni qendror që drejton tërë proceset e punës në Arkivin Shqiptar e ka vlerësuar si prioritet të punës edukimin teorik, përsosjen e aftësive praktike të arkivistëve në të gjitha nivelet për t’i përballuar sfidat arkivore. DPA e ka shndërruar në “linjë historike” punën për kualifikimin e stafeve arkivore, me përvojë dhe të kooptuarit të rinj, duke ndërtuar kurrikula trajnuese që përfshijnë të gjitha fushat e veprimtarisë së arkivave, sekretari-arkivave, por edhe aspekte të veçanta që zënë vend me rëndësi në formimin e punonjësve arkivorë. Trajnimet shërbejnë si “hapa” për rritjen e njohurive ndaj ndryshimeve të vazhdueshme të teknologjisë dhe të proceseve të punës arkivore, duke i azhornuar në rrjedhat e reja të zhvillimit teknologjik. DPA punën dhe proceset e trajnimit të stafeve arkivore apo arkivistëve nuk e ka trajtuar si “qëllim më vete” apo “stoli”, por në funksion të punës së përditshme, afatgjatë, punë e cila ka dhënë frytet e saj në mjaft aspekte, si në sasinë e dokumentacionit të përpunuar dhe dorëzimin e tyre në arkivat shtetërore, në cilësinë e përpunimit të dokumenteve etj.