Arkivat, vlera dhe rëndësia e tyre sipas Rexhep Qosjes
Përkitazi me observimet letrare të Rexhep Qosjes për arkivat në romanin “Të fshehtat e treguara”
Abstrakti
Rexhep Qosja është ndër të rrallët intelektualë bashkëkohorë që ka shpre-hur interesim të merret pothuajse me çdo gjë që ka të bëjë me gjuhën, histo-rinë, letërsinë, artin, historinë e letërsisë, publicistikën e lëmenj të tjerë të kulturës shqiptare. Në cilëndo fushë që e ka sprovuar veten, me përjashtim të poezisë, ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Është interesant fakti se interesimit të profesor Qosjes, si asnjë persona-liteti tjetër, nuk i ka shpëtuar problematika e arkivave dhe e arkivistëve. Në romanin e tij të fundit omnibus Të fshehtat e treguara, botuar më 2020, arkivi dhe arkivistët zënë vend qendror. Vështrimi i tij për këtë institucion, sidomos disa nga mendimet për arki-vin dhe arkivistët, janë të veçanta jo vetëm si formulime gjykimesh e që kanë një rëndësi të veçantë për të vërtetën rreth dhe për arkivat dhe arkivi-stikën. Unë vlerësoj se këto duhet të vihen në pah për disa arsye, por unë do t’i veçoja dy prej tyre: E para, për të na bërë ne që punojmë në arkiva më të ndërgjegjshëm për rëndësinë e punës që bëjmë; dhe, E dyta, për ta tërhequr vëmendjen e të tjerëve për rëndësinë dhe funksio-nin e misionin që kanë arkivat. Diçka e tillë nuk është shkruar më parë, në ndonjë vepër letrare, jo vetëm në letërsinë shqipe por, për aq sa di, as në ndonjë letërsi tjetër të popujve të ndryshëm të Evropës dhe botës. Prandaj, është e nevojshme të vihen në pah disa aspekte të observimeve të tij (paçka se letrare) rreth institucionit të arkivave që profesor Qosja, në këtë rast, i ka kushtuar pothuaj një vepër të tërë të vërtetës për arkivat dhe rëndësisë që kanë ato si institucione të kujtesës së një vendi, të një shteti apo të një kombi. Analiza dhe vënia në pah e asaj që autori Qosja ka shkruar në këtë roman për arkivat është i rëndësishëm edhe për një arsye tjetër. Ne, sado që jetojmë në shek. XXI, kur janë në pyetje arkivat, sado që mund të mos na pëlqejë, na duhet ta pranojmë se kemi shumë boshllëqe, eliminimi i të cilave do të shënonte një standard që do ta mundësonte kompletimin dhe funksionalizimin e duhur të këtyre institucioneve që pothuaj në çdo shtet serioz trajtohen si institucione të rëndësisë së veçantë.