Trashëgimia e përbashkët arkivore përtej kufijve politikë
Abstrakti
Arkivat dhe rrjeti ynë arkivor kombëtar (Shqipëri) sot është shndërruar në institucion modern, dinamik dhe shumë i kërkuar nga shoqëria në tërësi. Kjo kërkesë vjen nga problematikat reale që shtrohen për zgjidhje para kategorive sociale. Prandaj, ato individualisht dhe institucionalisht i drejtohen rrjetit tonë arkivor për të siguruar ndihmë dhe për të gjetur zgjidhje. Në të shkuarën dhe sot politika në planin shoqëror shfaqet e parcelizuar dhe forcat politike bëhen unike kur ato vijnë në pushtet. Pa marrë parasysh “forcat politike” në kohë, ideologjitë, arkivat tërheqin, administrojnë, për-punojnë, ruajnë dhe krijojnë kushte dhe mundësi reale për shfrytëzimin e “ lëndës arkivore” e çfarëdo kohe apo sistemi politik qoftë. Fenomene të tilla në fushën arkivore nuk janë dëshira individuale, por veprimtari të organizuara dhe drejtuara nga Ligji për Arkivat, i cili është hartuar mbi parime, norma dhe teori mbi punën arkivore. Ligji për Arkivat ka në themel mënyrën e administrimit të tërë thesarit dokumentar i krijuar në hapësirë dhe kohë dhe e shpallur “trashëgimi kulturore kombëtare”. Pas viteve 1990 kombi ynë pësoi transformime rrënjësore, por në vitin 1992 Qeveria shqiptare me vendim shpalli pjesë të pasurisë së fondit tonë arkivor kombëtar dhe trashëgimi kulturore, tërë dokumentacionin e krijuar nga fondkrijuesit e atij sistemi në vitet 1945-1990, tashmë të për-mbysur dhe shteti e mori në ruajtje atë. Kanë qenë dhe janë arkivat, ku qytetarët shqiptarë dhe të huaj kanë gjetur zgjidhje për problemet e luftës politike, për problemet e pronësisë, për probleme sociale të pas moshës së punës, me qëllimin e vetëm, vendosjen e dinjitetit individual qytetar në pozicionin e merituar.