Arkiva dhe praktika e kërkimit në distancë
Abstrakti
Arkivi është një koleksion dokumentesh dhe shënimesh që janë ruajtur për shkak të vlerës së tyre kulturore, historike ose dëshmuese. Ato shpesh përfshijnë dorëshkrime të pabotuara, letra personale, shënime, si dhe dokumente historike. Çështje studimore në këtë kumtesë janë arkivat dhe praktika e kërkimit në distancë. Arkivat përmbajnë koleksione të pasura burimesh parësore unike, por metodat për të gjetur materiale arkivore që mund ta informojnë punën tonë janë shumë të ndryshme nga kërkimet dytësore që bëhen në biblioteka dhe në internet. Qasja digjitale është sot një nga sfidat më të mëdha të njerëzimit, ndaj me anën e kësaj kumtese synojmë ta trajtojmë rolin e arkivave dhe se si me anë të zhvillimit të teknologjisë ne mund t’i shfrytëzojmë metodat e kërkimit në distancë. Qëllimi i kësaj kumtese është t’i identifikojmë këto metoda që përdoren për marrjen e këtyre informacioneve kudo që ndodhemi, duke vazhduar kështu më tutje me analizën sesa efektiv paraqitet përdorimi i tyre.