Fuqizimi i strukturës inspektuese për arkivat gjatë viteve 2017-2020
Abstrakti
Në këtë punim paraqes një përmbledhje të ndryshimit rrënjësor që ka pësuar struktura përgjegjëse për inspektim në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave gjatë viteve 2017-2020. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave u kthye në një inspektorat shtetëror për ta inspektuar punën me dokumente në sekretari - arkivat e institucioneve të administratës shtetërore, në nivel qendror dhe vendor. Veprimtaria e çdo institucioni shtetëror pasqyrohet te dokumentet që ai krijon, ruan dhe administron. Shërbimi arkivor në institucionet shtetërore të vendit tonë gjatë 30 vjetëve të fundit ka pësuar deformime të shumta për sa i përket mënyrës së përpilimit të akteve zyrtare, evidencimit, përpunimit tekniko-shkencor, ruajtjes dhe shërbimit të dokumenteve. Në vitin 2017 Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave u bë zyrtarisht inspektorat shtetëror, me strukturën e saj përgjegjëse për inspektimin, e cila do ta inspektojë punën me dokumente në të gjitha institucionet e Republikës së Shqipërisë. Shndërrimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në një inspektorat të mirëfilltë për punën me dokumente e ka fuqizuar atë në aspekt të mbrojtjes dhe zbatimit të ligjit nr. 9154, dt. 06.11.2003, “Për arkivat”, por edhe në raport me vlerësimin e punës arkivore nga ana e institucioneve shtetërore, të cilat ndër vite kishin neglizhuar urdhrat dhe udhëzimet e saj. Aktualisht Drejtorinë e Inspektimit dhe Trajnimit e presin sfida të reja në veprimtarinë e saj inspektuese.