Mehmet Pashë Deralla, misionar në mbrojtje të çështjes kombëtare

Autorët

  • Ola Shano

DOI:

https://doi.org/10.58923/diskutime.v7i23.548

Abstrakti

Gjatë gjithë procesit historik të ekzistencës së tyre, shqiptarëve nuk u është dashur të përballen vetëm më dukuritë natyrore, por mbi të gjitha me natyrën njerëzore dhe prirjen e vazhdueshme për asimilim. Në lidhje me këtë aspekt të rëndësishëm dhe të kudondodhur në Historinë Kombëtare, studiuesit vendas dhe të huaj janë përpjekur të trajtojnë e të hedhin dritë mbi disa nga veçoritë kryesore të luftërave, mësymjeve dhe përpjekjeve të vazhdueshme për pavarësi, integritet kulturor dhe territorial të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, në arenën e konflikteve ballkanike të shfaqura kohë pas kohe në forma dhe situate nga më të ndryshmet. Duke e përqendruar objektin e trajtimit në suazën e zhvillimeve të fundit të shekullit XIX dhe fillimet e shekullit XX, mund të themi se roli i Mehmet Pashë Derallës në organizimin dhe drejtimin e kryengritjeve të mëdha të Kosovës të viteve 1910, 1911 dhe 1912 përbën një rëndësi jetike për këtë hark kohor, i cili me të drejtë vlerësohet si nga me vendimtarët në luftën dhe përpjekjet e vazhdueshme për pavarësi. Ishin këto beteja që kulmuan me atë të verës së vitit 1912, e cila shënoi marrjen e Shkupit, ish-qendrës së Vilajetit të Kosovës. Kryengritësit shqiptarë tronditën tërë mjedisin ballkanik, në të cilin faktori shqiptar filloi të bëhej mbizotërues. Në fokusin e lëvizjes së tyre u vendos në këtë periudhë shpërfillja e hegjemonizmit të shteteve fqinje siç ishin, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia, të cilat prej kohësh konsolidonin strategjinë e tyre, që kishte të bënte me mohimin e ekzistencës së kombit shqiptar, në mënyrë që të zgjeronin territoret e tyre. Gjenerali Deralla ishte një nga protagonistët kryesorë të qëndresës
shekullore përballë sulmeve serbo-malazeze, të cilat synonin pushtimin e Shqipërisë veriore. Nën komandën e tij, luftëtarët shqiptarë i gozhduan forcat serbe në hapësirën ndërmjet Drinit të Bardhë e Drinit të Zi. Në zanafillën e shtetit të ri shqiptar, me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 28 Nëntor 1912, Kuvendi i mbledhur në Vlorë në të cilin merrnin pjesë të gjitha viset shqiptare, në detyrën e ministrit të Mbrojtjes të Qeverisë së kryesuar nga Ismail Qemali, u zgjodh Mehmet Pashë Deralla, i cili për vetë rolin dhe peshën që përfaqësonte aso kohe në këto zhvillime iu besua ky post nga më të rëndësishmit në atë kabinet qeverisës, për vijimësinë e shtetit të sapo formuar shqiptar.

Fjalët kyçe:

histori kombëtare, Mehmet Pashë Deralla, beteja për pavarësi, kryengritësit shqiptarë.

Shkarkimet

Download data is not yet available.

Downloads

Botuar

2023-02-03

Si të citoni

Shano, Ola. 2023. “Mehmet Pashë Deralla, Misionar Në Mbrojtje Të çështjes kombëtare”. Diskutime 7 (23):288-94. https://doi.org/10.58923/diskutime.v7i23.548.