Themelues i Ministrisë së Luftës dhe fryma e re kombëtare Shqiptare (Mehmet Pashë Deralla)

Autorët

  • Zaho Golemi
  • Aurora Golemi

DOI:

https://doi.org/10.58923/diskutime.v7i23.551

Abstrakti

Ministri i parë i Luftës, Mehmet Pashë Deralla ishte atdhetar i klasës së lartë. Ai ishte një patriot i flaktë, ushtarak i zgjuar që me jetën dhe veprimtarinë e tij shkroi epope lavdie dhe krenarie kombëtare. Gjeneral Deralla ka qenë ideator, organizator, udhëheqës dhe frymëzues i mjaft kuvendeve mbarëkombëtare. Ai ishte ushtarak karriere që shërbeu në situate luftarake dhe në kohë të vështira pushtimi. Orientimi i tij ishte krejtësisht i qartë e i kthjellët drejt atdhetarizmit dhe Shqipërisë së pavarur. Sa herë do të kujtohet siguria e kombit në themel ka mendimin dhe veprimin e burrit tetovar që solli një frymë të re në qeverinë e parë të shqiptarëve. Ai nuk u ul në poltronin e butë të Ministrisë së Luftës. Gjeneral Deralla i vuri aftësitë, eksperiencën e mençurinë në funksion të qeverisë së pare të shqiptarëve të udhëhequra nga Ismail Qemali. Ai i vuri shpatullat një Shqipërie të dalë nga robëria pesë shekullore osmane, që nga fqinjët shikohej si një “copë”, për t’u gëlltitur. Ai me 70 oficerët e parë të tij, 155 kapterët dhe me rreth 5000 vullnetarët e parë janë embrioni i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare me përvojë lindore dhe perëndimore. Mehmet Deralla, në kulmin e karrierës së gjeneralit të ushtrisë turke çmoi më të rëndësishme fatet e Shqipërisë se sa zbukurimin e supeve me spaleta e grada. Burrat e mençur të kombit tonë krijuan për herë të parë traditën ushtarake shqiptare me Ministrinë e Parë të Luftës në Vlorë. Gjeneral Deralla bashkë me kryeministrin zgjodhën Ali Shefqet Shkupin në krye të shtatmadhorisë së pare shqiptare. Në krye të intelektualizmit ushtarak shqiptar dhe gjeneralizmit të kohës ishte padyshim Mehmet Pashë Tetovari. Plejada e ushtarakëve madhorë që kishin shërbyer për Perandorinë Osmane por që me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë erdhën dhe shkrinë jetën e tyre për Shqipërinë lidhet para së gjithash me antagonizmin e tyre me qeverinë e Stambollit. Ministri i Luftës gjenerali me pamje shtatlartë Mehmet Pashë Deralla në bashkëpunim të ngushtë me Kryetarin e qeverisë Ismail Qemal Vlora krijuan lidhje të ngushta me patriotët të shquar si Haxhi Zeka, Bajram Curri, Idriz Seferi, etj, duke u angazhuar gjerësisht në problemet e mbrojtjes kombëtare shqiptare. Gjeneral Deralla kishte identitetin e tij me formim thellësisht kombëtar. Ai nuk përfilli as medaljet e heroizmit dhe as privilegjet që rridhnin nga Porta e Lartë. Gjeneral Deralla edhe përpara Pavarësisë kishte kapur momentin historik dhe kishte marrë përgjegjësi dhe kishte luajtur rol të rëndësishëm, krahas burrave të shquar të Lidhjes së Prizrenit, për organizimin e veprimeve luftarake të saj. Gjenerali tetovar u vu në dispozicion të Ushtrisë Vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si ushtarak akademik ai u caktua këshilltar ushtarak i Sulejman Vokshit, i cili bënte detyrën e ministrit të Luftës të Lidhjes së Prizrenit. Burime dokumentare evidentojnë se ai u caktua komandant i Forcave Ushtarake të Lidhjes së Prizrenit për viset e Maqedonisë, vlerësuar kjo si një zonë me rëndësi strategjike. Mehmet Deralla, së bashku me babanë e tij, Hasan Derallën janë nënshkrues të akteve të Lidhjes, si Statuti i LSHP, “Kararname” dhe urdhëresave (Talimat), ndërmjet 54 përfaqësuesve të tjerë. Gjeneral Mehmet Deralla, në veprimtarinë e tij atdhetare në kuvende, në besëlidhje, në pajtime gjaqesh apo regjistrimin e vullnetarëve, kurdoherë, thoshte: “Jena shqiptarë, s’e duam të huajin në vatrat tona, vetëm lufta me mendë e me pushkë ka me na qitë në dritë”. Megjithatë në jetën e tij akti më madhor ishte drejtimi i Ministrisë së Luftës nga Deralla i Tetovës ku spikati fitorja me 42 vota postin që e vesh me prestigj mbarëkombëtar, atë të Ministrit të Luftës. Veprimtaria e Gjeneral Derallës është lidhur ngushtësisht me bashkëpunimin e ngushtë me Hasan Bej Prishtinën, që e bashkonte ndjenja atdhetare dhe reputacioni që kishin këta dy atdhetarë të shquar në hapësirat përkatëse nga kishin dalë, në Kosovë, por dhe në hapësirën shqiptare (të Maqedonisë së sotme).

Shkarkimet

Download data is not yet available.

References

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI, Shef Departamenti në Akademinë e Forcave të Armatosura MSC Aurora GOLEMI, Gazetare e TV “News 24”, Tiranë

Downloads

Botuar

2023-02-03

Si të citoni

Golemi , Zaho, and Aurora Golemi. 2023. “Themelues I Ministrisë Së Luftës Dhe Fryma E Re kombëtare Shqiptare (Mehmet Pashë Deralla)”. Diskutime 7 (23):319-31. https://doi.org/10.58923/diskutime.v7i23.551.