Shkodra në qerthullin e luftës ballkanike dhe të pushtimit Serbo-Malazez
DOI:
https://doi.org/10.58923/diskutime.v7i23.595Abstrakti
Punimi i trajtuar, “Shkodra në qerthullin e Luftës Ballkanike dhe të pushtimit serbo-malazez”, hedh dritë mbi një periudhë që ngërthen ngjarje dhe fakte të shënuara dhe të një rëndësie të madhe si në shkallë vendi, ashtu edhe në atë lokale. Kjo për faktin se, qyteti më i madh e më i populluar i Shqipërisë, Shkodra, kaloi nga tetori 1912 deri në prill 1913, ditë ndër më të vështirat në historinë e saj, njëkohësisht edhe ndër më heroiket, sidomos për një qëndresë të pashoqe në luftë për mbrojtjen nga shovinistët fqinjë të tërësisë së saj territoriale. Objekt i trajtesës është vështrimi historik mbi gjendjen politiko-shoqërore, por edhe më gjerë. Ai është mbështetur kryesisht në dokumentet e Konsullatës Austro-Hungareze të Shkodrës për vitet 1912-1914, si dhe në relacionet e priftërinjve jezuitë, të cilët ditë mbas dite shënuan ngjarje dhe fakte. Teza që përmban kumtesa mbështet idenë se mbetja e Shkodrës si pjesë e pandarë e shtetit të porsakrijuar Shqiptar, është më së pari rezultat i përpjekjeve titanike të të gjithë shkodranëve pa dallim, që treguan se ishin formuar si familje shpirtërore dhe dëshmuan faqe botës dëshirë e vullnet të përbashkët për të ruajtur dinjitetin nacional e civil, e për të jetuar së bashku të ardhmen. Bashkangjitur kësaj, e një rëndësie tepër të madhe paraqitet përkrahja dhe këmbëngulja e fuqishme e Austrisë, në këto çaste të traumës së rëndë kombëtare.