Shqiptarët ortodoksë të Rekës dhe Shqiptarët myslimanë të Maqedonisë perëndimore
DOI:
https://doi.org/10.58923/diskutime.v7i23.599Abstrakti
Vilajeti i Manastirit, një nga katër vilajetet që përfshinte popullsi shqiptare në provincën osmane të Rumelisë, është parë gjithnjë si një territor ku identitetet nacionale kanë qenë më të zbehta, krahasuar me vetë-përcaktimin dhe identitetet fetare të popullsive që banonin në të. Si një nga krahinat më të hershme të pushtuara nga osmanët dhe ku në fakt ka pasur një proces kolonizimi me popullsi turke më të lartë se në territoret e tjera, sistemi osman i mileteve duket se kishte zënë mirë rrënjë dhe në fund të shekullit XIX dhe fillimet e shekullit XX, popullsia e këtyre anëve e kishte më të vështirë përqafimin e nacionalizmit përkundrejt një identiteti osman që imponohej nga lart. Zakonisht, kur studiohet kjo periudhë e historisë shqiptare të elementit shqiptar, uniformiteti fetar i Vilajetit të Manastirit studiohet njëlloj si Vilajeti i Kosovës me një lloj uniformiteti mysliman sunni, për shkak lidhjeve të mëvonshme të territoreve të banuara nga shqiptarë në ish-mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene dhe më vonë në ish-Jugosllavi, ndërsa në fakt popullsia shqiptare e Vilajetit të Manastirit reflektonte një larmi tjetër identitetesh fetare të ngjashme me Vilajetin e Janinës, ku ishin të pranishëm edhe komuniteti bektashian në Tetovë dhe rrethinat e saj, si dhe komuniteti ortodoks në malësinë e Rekës. Përthyerja e këtyre identiteteve dhe shkrirja e tyre në identitet kombëtar gjatë fundshekullit XIX dhe fillim të shekullit XX përbën një rast studimor të ngjashëm si dhe në territoret shqiptare, ku nacionalizmi veproi dhe operoi nëpërmjet të njëjtave mjete, ndaj ai nuk mund të merret i shkëputur nga shqiptarizmi, edhe pse pan-osmanizmi pati eksponentë të rëndësishëm nga këto territore.