M

Mevlude Aliu-Gashi

Instituti Pedagogjik i Kosovës
2
artikuj
1
revistë
1970
Revista: Kërkime Pedagogjike

Artikuj (2)

Praktikat edukative për integrimin e aktiviteteve fizike në punën me fëmijët 3-6vjeç
Edukimi në fushën e zhvillimit fizik është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e fëmijëve të moshës 3-6-vjeçare. Në edukimin e institucionalizuar parashkollor, edukatoret kanë rol me rëndësi në integrimin e aktiviteteve fizike gjatë realizimit të punës me fëmijë. Integrimi i zhvillimit fizik ka një rëndësi të veçantë, pasi që, përmes aktiviteteve, fëmijëve parashkollorë u mundësohet zhvillimi i gjithanshëm i tyre, përfshirë aspekte të ndryshme, si aftësitë motorike, shëndetin fizik, socializimin, zhvillimin e imagjinatës, kreativitetin, si dhe aspekte të tjera që lidhen me proceset kognitive dhe emocionale. Gjetjet e hulumtimit do të shërbejnë për përmirësimin e politikave arsimore për këtë nivel të edukimit dhe në aspektin praktik do të ndihmojnë të kemi më të qartë rëndësinë e integrimit të aktiviteteve fizike në zhvillimin e fëmijëve. Në shumë studime u gjet se ekziston ndërlidhja e aktiviteteve fizike me zhvillimin e aspektit kognitiv, emocional, social etj., të fëmijëve të moshës parashkollore, prandaj edhe u përcaktuam që kjo specifikë të jetë në fokus të këtij studimi. Qëllimi i këtij hulumtimi është të shqyrtojë dhe të analizojë praktikat edukative në institucione parashkollore lidhur me integrimin e aktiviteteve fizike gjatë realizimit të punës me fëmijë të moshës 3-6 vjeç. Përmes trajtimit teorik dhe hulumtimit empirik, synojmë që ky studim do të kontribuojë në përmirësimin e praktikave edukative, duke ofruar rekomandime për integrimin e aktiviteteve fizike në programet edukative të institucioneve parashkollore. Pyetja kryesore e hulumtimit është: Si integrohen aktivitetet fizike në praktikat edukative në institucionet parashkollore me fëmijët 3-6 vjeç? Studimi është realizuar sipas metodës cilësore, kurse të dhënat i kemi mbledhur përmes protokollit të vëzhgimit, të realizuar brenda aktiviteteve edukative dhe intervistës gjysmë të strukturuar me edukatore. Mostra përfshin gjithsej 20 edukatore të institucioneve publike. Dhjetë nga këto edukatore ishin të vëzhguara përgjatë aktiviteteve me fëmijët në klasë, kurse 10 edukatore ishin të intervistuara. Hulumtimi është realizuar në një periudhë kohore të përshtatshme, të caktuar paraprakisht me pjesëmarrësit. Studimi ofron të dhëna praktike nga terreni, lidhur me mënyrën e integrimit të aktiviteteve fizike përgjatë programit ditor me fëmijët në institucione parashkollore.
Shfrytëzimi i mjedisit të jashtëm në institucionet parashkollore në Kosovë: një vlerësim i frekuentimit dhe ndikimit në zhvillimin e fëmijëve
Në zhvillimin e fëmijëve në moshë të hershme, mjedisi i jashtëm luan një rol të rëndësishëm, duke ndikuar në aftësitë lëvizore, sociale dhe njohëse. Në kontekstin e institucioneve parashkollore në Kosovë, përdorimi i mjedisit të jashtëm mbetet i kufizuar dhe shpesh i ndikuar nga infrastruktura, metodat e punës dhe qasja ndaj përdorimit të mjedisit stimulues për realizim të aktiviteteve me fëmijë. Qëllimi i këtij studimi është të analizojë dhe të shqyrtojë mënyrën se si shfrytëzohet mjedisi i jashtëm në institucionet parashkollore dhe si ndikojnë këto aktivitete në zhvillimin holistik të fëmijës. Studimi, gjithashtu, analizon perceptimet e drejtoreshave dhe prindërve lidhur me këtë dhe identifikon sfidat dhe kufizimet që hasen në shfrytëzimin e mjediseve të jashtme të institucioneve parashkollore. Studimi është realizuar përmes metodës cilësore, në 10 komuna, duke përfshirë vëzhgimin në aktivitetet e realizuara në mjedise edukative dhe me intervistë gjysmë të strukturuar me drejtoresha dhe prindër. Mostra përfshin 10 edukatore, 10 prindër dhe 10 drejtoresha të institucioneve parashkollore. Rezultatet nga vëzhgimi i edukatoreve treguan se mjedisi i jashtëm kryesisht shfrytëzohet për aktivitete te lira, më pak ka fokus në shfrytëzimin e këtij mjedisi për zhvillimin social, emocional dhe njohës të fëmijëve. Drejtoreshat theksuan se sfidë është mungesa e infrastrukturës adekuate dhe planifikimi i strukturuar i punës edukative, ndërsa prindërit theksuan se shfrytëzimi i hapësirave të jashtme duhet të jetë jo vetëm për argëtim të fëmijëve, por edhe për aktivitete edukative, të jenë pjesë e planifikimit edukativ dhe e realizimit të përditshëm, pavarësisht kushteve atmosferike. Studimi jo vetëm që adreson gjendjen aktuale të shfrytëzimit të mjedisit të jashtëm dhe ndikimin në zhvillimin e fëmijëve, por rekomandimet e tij kontribuojnë në politikat arsimore dhe në cilësinë e edukimit në këtë nivel.