Pëlhurat tregojnë histori të ndryshme: Një alegori iluministe në një veshje tradicionale Shkodrane
Abstrakti
Veshjet tradicionale dhe pëlhurat me të cilat janë realizuar këto veshje janë një dëshmi e kontakteve e konflikteve kulturore të një shoqërie. Në periudhën paraindustriale, veshja tradicionale e lokale ishte e lidhur ngushtë me politikat e kohës, me kulturën, ekonominë, traditat lokale dhe me institucione të ndryshme vendore. Duke qenë se pjesa e jashtme e veshjes, diktohej nga politikat e kohës, pjesa e jashtme ka marrë gjithnjë një rëndësi të madhe studimore. Por me aq rëndësi sa pjesa e jashmte e veshjes, pjesa e brendshme e saj, astari, mund të zbulojë po aq aspekte thelbësore sa pjesa që duket. Analizimi i pëlhurave të astarit, mund ti ofrojë analizës historike dhe antropologjike të veshjes, këndvështrime të tjera. Kjo analizë mund të jetë një element kyç në rindërtimin e kohës së prodhimit të veshjes apo të jetë një dëshmi e rëndësishme e marrëdhënieve ekonomike, politike, kulturore të kohës, dhe po aq të flasë për bartësin dhe statusin ekonomik, kulturor e shoqëror të tij. Gjuha vizuale e motiveve, alegorive të stampuara apo të qëndisura në të, ofrojnë këndvështrime të tjera historike dhe kulturore që shkojnë paralelisht me pjesën e jashtme të veshjes. Duke i vendosur ato në një plan krahasues, pjesa jashtme dhe ajo e brendshme e një veshjeje, tregojnë një histori të ndryshme.