Koleksion thuejse i panjoftun në Londër Frang Bardhi - fjalor Latinisht-Shqip
Abstrakti
Në nji lagje të Londrës, në nji banesë të thjeshtë si gjithë shoqet e veta, në të dy krahët e rrugës, i thirrun shkova më 1994 me pa nji koleksion me libra të historisë së Shqipnisë. Vizitën e përsërita më 1995, dy herë, e prapë më 1996, 1997 e 1998 e vazhdoj sot e kësaj dite. Sa herë më jepej rasti e gjeja shkas, ia përmendja koleksionin kujtdo që vinte në Londër nga Shqipnia, me shpresë se dikush do të kishte kohë me e pa. Në vjeshtë të 1996-ës, çova Ibrahim Rugovën, si studiues e që dinte ç’asht nji libër i mirë. Atë natë ndenjëm deri në të gëdhime tue shfletue Barletin, Biemin, Plutarkun e shumë autorë të tjërë jo ma të vegjël që kanë shkrue për Skënderbeun. Nuk do të përshkruej koleksionin, as do ta baj historinë e tij, pse kjo takon ma shumë pronares. Di sigurisht që ajo ka ndo njizet vjet që mbledh librat e rrallë të veprave origjinale për histori të Shqipnisë, dhe se në koleksion ka botime që nga shekulli i 16-të.