Një tezë e Selman Rizës për gjuhën letrare Shqipe
Ngjyresa dialektore e gjuhës letrare Shqipe në trevat Veriore
Abstrakti
Me profesor Selman Rizën kam pasur vetëm lidhjet e natyrshme pedagog -student në lëndën "Hyrje në historinë e gjuhës së
shkruar shqipe" (në vitin 1963-64) dhe si udhëheqës të një teme vjetore "Lëkundje gjithëgjuhësore në veprat e K. Kristoforidhit
gegërishte", në vitin e dytë. Nuk kam pasur rast të punoja bashkë me të ne sektorin e gramatikës e të dialektologjisë, për
arsye se, në vitin 1967, kur unë u emërova në Institiut si punonjës shkencor i ri, i ndjeri ishte larguar nga ai vend pune (me atë motivacion dhe me ato pësime që tashmë dihen). Si studiues, për aq sa më lidhin fushat që studioj me trashëgiminë e botuar në kohën e vet si dhe në veprat e botuara, së pari në Prishtinë, pastaj edhe ndër ne, kam gjetur shumëçka me interes dhe jam i bindur se, përveç sa ka zgjidhur e shqyrtuar kënaqshëm vetë ai, në shkrimet e tij ka edhe ide e teza pune me vlerë, që meritojnë të rimerren e të shpihen më tej në kushtet e me të dhënat e sotme. Në kumtesën time modeste do të rrekem të trajtoj pikërisht ndonjë nga tezat e prof. Rizës rreth gjuhës letrare shqipe të njësuar dhe marrëdhënieve të gjuhës së shkruar me gjuhën e folur.