Leonard Foks dhe kanuni i Lekë Dukagjinit
Abstrakti
Me i hy kush ta lexojë sot Kanunin e mbledhun prej At Shtjefën Gjeçovit fort të vështirë do ta ketë ta kuptojë, po s'pati nji përgatitje të plotë në gjuhë shqipe. Të kuptuemit e Kanunit asht punë e përpjetë; ai ka mbetë për gati 50 vjet pa u zanë me gojë e jo ma me dalë ndër faqe të librave a të shtypit. Dhe 50 vjet qitje në harresë e kanë ba punën rrënuese, njëlloj si me pjesën ma të mirë të trashëgimisë veriore. Kur pranohet se shumëkush që asht shqiptar e me arsim zihet ngushtë në Kanun, zor se ka të huej, qoftë edhe studiues i shqipes e dokeve shqiptarë, me ia nxjerrë saktë mendimin këtij kodi të lashtë e ta përkthejë në gjuhë tjetër pa ranë ndër leqe. Prof. Dr. Sabri Hamitit, anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës (ASHAK), në ligjëratën më 29 tetor 2001, në prani të anëtarëve të ASHAKut dhe njerëzve të tjerë të kulturës e medias, thotë "Duke njohur vlerat për identitetin e kulturës shqiptare të Historisë së Skënderbeut, Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe të Kangëve kreshnike, unë me dashuri do t'ia dhuroja këtë komplet një të huaji, duke ditur që në to fshihen çelësat për shumë zhvillime dhe interpretime në jetën e në literaturën shqipe" Kjo dëshirë e Z Hamiti asht plotësue deri në nji farë shkalle: Kanuni asht ba kohë ma parë në italisht më 1941 me redaktimin e At Gjergj Fishtës dhe Zef Skiroit, e më 1989 në anglisht, me përkthimin e zotit Leonard Foks. Botimi dygjuhësh, në nder të vllezënve Gjonlekaj në Nju Jork, vlen të merret në shqyrtim për hir të lexuesit të huej. Në këto pak faqe do të merrem me krahun anglisht të
Kanunit nga dëshira që të huejt ta marrin sa ma të saktë mesazhin kanunor. Dhe që në krye e them se zotit Foks ia di zorin që ka pasë me i ba anglisht thaniet e skalituna të Kanunit dhe vështirësitë nganjëherë të pakapërcyeshme për zbërthimin e kuptimit. Dëshiroj të ve në dukje fort, që pa i hy analizës së përkthfmit, se gjithë sa do të parashtroj ma poshtë janë mendime dhe vëzhgime të paanshme, të nxituna prej qëllimit të mirë që përkthimin e lavdërueshëm të zotit Foks ta çoj, në mundsha, nji hap përpara kah kuptimi ma i mirë. Gjithçka që do të thuhet në këto vërejtje nuk i heqin asnji fije punës së vyeshme të përkthyesit. Pos kësaj nënvizoj fort se përkthimi i zotit Foks ma ka shtrue rrugën për këto qortime qëllimmira. Po i hedh në këte shkrim qortimet me shpresë se ndonji ditë të mbarë vilaznia Gjonlekaj apo ndonji botues tjetër do t'i kthehet Kanunit në anglisht me nji ribotim të ndrequn.