Përpjekje të Arbëreshëve të Molizës për ruajtjen e gjuhës
Abstrakti
Bashkë jemi shumë. Vetë fjala pakicë gjuhësore(apo me një term të politikës së sotme italiane, minoranza linguistica), përmban në vete diçka nga shqetësim i hershëm dhe i pasur i çdo diaspore në dhe të huaj: të qenet pak, të qenet në sasi numerike të pakët, ndërsa vendasit e tjerë të shtetit ku gjenden janë jo vetëm më shumë, por edhe më të konsideruar e të përfilluar, pra edhe më të fortë. Shumë herë veprimatarët arbëreshë, sidomos shkrimtarë, studiues të gjuhës e të folklorit, po edhe klerikë e politikanë të dalë nga ato ngulime, me fjalë e me vepra të shkruara, kanë kërkuar që edhe pakicës etnolinguistike arbëreshe t'i dëgjohet zëri. E që t'i dëgjohet zëri, që të jetë i njohur, e përfillur dhe e njëjtë me qytetarët e tjerë që përbëjnë shumicën, çdo pakicë duhet të ketë të
drejtë dhe mundësi ta shfaqë lirisht përkatësinë e vet etnike dhe ta flasë e ta shkruajë në gjuhën e vet, krahas gjuhës zyrtare të kombit ku janë përfshirë. Arbëreshët kanë dashur e duan që gjuha shqipe, gjuha e tyre amtare, të cilën ata e kanë ruajtur për kaq shekuj në dhe të huaj, të mësohet në shkollë, të vlerësohet dhe të jetë një mjet i shprehjes së pasurisë shpirtërore e kulturore të tyre. Kjo, jo për t'u veçuar nga fqinjët e tyre italianë, por të mos bjerë tradita e bukur arbëreshe dhe gjuha e tyre e lashtë, atë gjuhë në të cilën për më se pesë shekuj, brezpas brezi, u kanë kënduar ninulla nënat në djep, u kanë treguar përrallëza e legjenda gjyshat e gjyshet, atë gjuhë që e kanë në zemër dhe e ndjejnë po aq të domosdorshme sa edhe ajrin, ujin e bukën. Siç thotë një poet, se gjuha arbëreshe është gjuha jonë, për sa rron jeta, ajo ket rrojnë.