Meshtari Dhimiter Frangu (Demetrio Franco) (1443 - 1525) luftëtar dhe historian i Skënderbeut
Abstrakti
Personalitet i kulturës humaniste shqiptare të shekujve XV, XVI, ndër të gjithë biografët e Skënderbeut, Dhimiter Frangu është i vetmi që njohu nga afër Heroin tonë kombëtar, jetoi me të, mori pjesë ndër beteja si luftëtar krah tij dhe e shoqëroi Kryetrimin shqiptar si pjesëtar i suitës së tij në udhëtimin që bëri në Itali më 1466 - 1467 për të ndihmuar Ferdinandin e Napolit. Në suitë bënte pjesë me cilësinë e "ruajtësit të thesarit" ("Tresoriere dell' Eroe").
Ai i përket asaj plejade të shquar të shek. XV, që luftoi me pushkë e me penë për Atdheun.
Dhimitër Frangu lindi në Drisht më 1443, atë vit që Gjergj Kastrioti Skënderbeu ktheu në Krujë fitimtar dhe me kryengritje dëboi pushtuesit otomanë. Ishte me prejardhje nga një familje e shquar për tradita patriotike e kulturore, kushëri i Dukëve të Drishtit, i Engjëllorëve. Që në moshën 16-vjeçare u vu në shërbim të Skënderbeut si luftëtar. Para shtatorit të vitit 1478, pra para rënies së kështjellës së Krujës, ai u largua në Itali sepse vendi u pushtua nga forcat osmane. Atë vit, më 1478, ra dhe kalaja e Drishtit, më janar të 1479 do të binte dhe kalaja e Shkodrës, kështu që atij s'i mbetej tjetër veç rruga e hidhur e mërgimit për Itali, ku dhe u shugurua prift. Shërbeu për shumë vite si famullitar në Briana (Itali) dhe vdiq në Trevi më 1525 në moshën 82- vjeçare.