Shqiptarët kanë çdo arsye të shpresojnë se e ardhmja e tyre do të jetë më e mirë dhe më e sigurtë se e kaluara e hidhur, ose e tashmja zhgënjyese
Pershëndetje të gjithë vëllezërve dhe motrave shqiptare: gëzuar vitin 2000!
Abstrakti
Shekulli XX dhe Mileniumi i dytë u mbyllën. Po hapen dyert e shekullit XXI dhe Mileniumit të tretë! Në jetën e përditshme kjo hapje shënon thjeshtësisht kalimin e një viti në tjetrin. Ajo përfshin momentin meditativ në të cilin bota e qytetëruar sikur ndalon vrapin më marramendës të historisë dhe shkencës me qëllim që, në një çast pushimi, të studiojë më mirë të kaluarën - sukseset dhe dështimet e njerëzimit mbarë - dhe të shikojë të ardhmen: perspektivat, ëndërrimet, aspiratat për një botë më të mirë, për një familje njerëzore më të arsyeshme dhe më të ndërgjegjshme për rolin e individit në shoqëri, dhe për shoqërinë që individët shpresojnë të ndërtojnë.