Portret i një studiuesi dhe dashamirësi të shqipes
Shënim biobibliografik për studiuesin zviceran prof. dr. Basil Schader
Abstrakti
Dr. Basil Shader (Schader) është profesor në Shkollën e lartë pedagogjike të kantonit të Cyrihut (Zvicër), ku ai udhëheq degën "gjermanishtja si gjuhë e dytë". Ai është anëtar i disa komisioneve lëndore dhe drejtues i projekteve arsimoreshkencore për gjuhën e mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër. Në këtë cilësi prof. dr. Basil Shader ka nxënë gjuhën shqipe në nivel të shkëlqyeshëm, si dhe ka hartuar e botuar shumë libra shkencorë e mësimorë, ndër të cilët disa janë në gjuhën shqipe e për t'u ardhur në ndihmë bijve e bijave të mërgimtarëve shqiptarë të diasporës më të re në Zvicër. Studimet dhe hulumtimet sociolinguistike dhe didaktike të prof. Shaderit janë përqëndruar kryesisht rreth shqipes si gjuhë në kontakt me gjermanishten e dialektet e saj në Zvicrën gjermanofone.
Aktualisht ai është drejtues i projektit kërkimor "kompetenca gjuhësore, orientimi gjuhësor dhe suksesi i nxënësve shqiptarë në Zvicër".