Mbi shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë
Abstrakti
I nderuem Dom Anton Kçira
Të nderuem zonja e zotërinj bashkëatdhetarë,
Të nderuem anëtarë të Këshillit të Kishës Katolike Shqiptare Shën Pali
Jemi mbledhë sot në këtë voter të madhe të shqiptarisë dhe të Kishës Katolike Shqiptare, mijëra e mijëra milje larg atdheut tonë të
dashur, Shqipnisë etnike, dhe votrave tona familjare stërgjyshore, të përkujtojmë Ditën e Bardhë, 28 nëntorin 1912, ditë në të cilën Shqipja dykrenare, e “strukun për pësë shekuj robnije nën nji vetull mali, mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit" hapi krahët dhe u valëvit në qiellin e lirë të vendlindjes sonë. Jemi mbledhë jo rastësisht këtu në Detroit, në vatrën ma të madhe binjake të djemve dhe nipave të Lekëve të Malësisë në Perëndim, dhe jo rastësisht në votren gjigande shqiptare që krijoi këtu në Miçigan, Dom Anton Kçira, si bir i Nanës sonë të madhe Tereze, si pauses i denjë veprës krenare të At Gjergj Fishtës, Dom Nikoll Kaçorrit, Dom Ndre Mjedës, At Benardin Palajt, Dom Lazer Shantojës, Padër Anton Harapit, At Donat Kurtit e dhjetra e dhjetra klerikëve të shquar, që nuk e ndanë kurrë nga jeta e veprimi i tyre binomin “FE dhe ATDHE” . Jemi mbledhë në votrën e Komunitetit Katolik Shën Pali në Miçigan për të përkujtue Diten e Flamurit dhe nderue vepren e madhe të patriotëve shqiptarë nga Malësia, Kosova, Çamëria, Shkodra e Vlora, Gjirokastra e Korça në arritjen e kësaj dite. Me këtë rast duhet të nderojme gjithashtu dhe rolin që ka luajtur Kleri Katolik Shqiptar në ndriçimin dhe udhëheqjen e rrugës drejt pamvarësisë së popullit shqiptar, rrugën drejt ndërgjegjësimit si popull i lirë europian.