Është koha e shqiptarëve
Abstrakti
Vendi i shqiponjave, në fund të këtij mijëvjeçari, i ngjan një skëterre, nga e cila kërkojnë të shpëtojnë të gjithë. Në Verilindje një armik i dukshëm sulmon me një arsenal të tërë armësh popullin që ik. Në shtetin amë, një forcë e (pa)dukshme ka vënë në ikje po aq masive një popull të tërë. Dhe e gjithë kjo skenë e frikshme shfaqet në mes kontinentit të vjetër. Të krijohet menjëherë bindja se kjo pjesëz e Europës mban diçka të huaj për rregullat e saj, ose, se kjo pjesëz kontinenti po kalon një proçes të vështirë (ri)lindjeje. Gjithsesi, tabloja shqiptare është një betejë në vijim. Pavarësisht nga pozicionet e veçanta që kanë aktorët e kësaj beteje në dy pjesët e vendit të shqiponjave, ata i përkasin qartësisht dy kampeve kundërshtare: regresit dhe progresit. (Veçoria e dramës së shtetit amë është se luan përherë me aktorë shqiptarë e me padronë të huaj) Regresi mishërohet në intolerancë, urrejtje, vrasje, ilegalitet, shovinizëm e fanatizëm mesjetar etj. Përndryshe, progresi përmban tolerancë, dashuri, paqe, shoqëri demokratike e qytetare. A mundet Europa ta durojë gjatë këtë trup të huaj anakronik në gjirin e vet?! Natyrisht që jo. Një truall i lashtë europian nuk mund të dhunohet më nga etnocidi, intoleranca, fanatizmi mesjetar; nuk mund të mbetet përjetësisht prë e infiltrimeve anakroniste dhe e trafiqeve ilegale ndërkombëtare. Pra, ka filluar tashmë faza përfundimtare për shërimin e plotë të kësaj pjese të Europës, për ta bërë atë një pjesë organike të këtij sistemi gjigand vlerash bashkëkohore civile.