“Alfabetare e gluhësë Shqip”, 1879.
Abstrakti
"ALFABETARE e gluhësë Shqip", ose Abetarja e Stambollit, siç është quajtur shpesh në literaturën shkencore dhe pedagogjike, lidhet, para së gjithash, me kushte të caktuara dhe me një varg ngjarjesh të rëndësishme të historisë kombëtare. Rasti i "Alfabetares..." është unikal në jetën mbi 150- vjeçare të abetareve shqipe, në këndvështrimin e lidhjes së ngushtë me kushtet historiko - shoqërore dhe të botimit; të rolit që luajti për njësimin e alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe; në hedhjen e themeleve të tekstologjisë
shqiptare, të frymës atdhetare që ngjalli. Në "Alfabetare..." trajtohen disa nga problemet më themelore të kohës, në plane të ndryshme: politik, idelogjik, kulturor dhe arsimor që kishte shtruar për zgjidhje Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ky tekst, si rrallë ndonjë tjetër, shkon në unison me ato ngjarje, duke u bërë jehonë, duke zbatuar pjesë të veçanta të programit për çlirimin kombëtar dhe shoqëror.