Disidencë fisnike dhe politizim çoroditës në letërsinë tonë
Abstrakti
Sot që po diskutohet aq shumë për qenien a mosqenien e disidencës në letërsinë tonë të periudhës së regjimit komunist, larg çdo pretendimi për një gjykim ose analizë të thellë e gjithpërfshirëse shkencore historike, po jap mendimin tim. E thënë në krye të kresë, në vendin tonë pati raste të lavdëruara të disidencës së organizuar politike, por nuk pati një disidencë të vërtetë, të organizuar e të hapur artistike, që t’u kundërvihej letërsisë dhe arteve të realizmit socialist, përmbajtjes dhe metodave të tij, censurës, mohimit të fjalës së lirë dhe të drejtave themelore të njeriut, siç ndodhi në Çekosllovaki. Raste jo të pakta të disidencës individuale pati në të
gjitha vendet e Lindjes, si: në Rusi, Hungari, Poloni, Rumani, Bullgari, në vendin tonë, etj.