Fjalori i parë i gjuhës Shqipe (1635)
Me rastin e 370-vjetorit të botimit
Abstrakti
Këtë vit përkujtojmë 370-vjetorin e botimit të fjalorit të parë të gjuhës shqipe, atë të Frang Bardhit me titull “Fjalor latinisht- shqip...” ( “Dictionarium latino-epiroticum ...” par R.D.Franciscum Blanchum Epirotam Romae, 1635). Është vit edhe i përkujtimit të një ngjarjeje të adhe të kulturës sonë, 450-vjetori i botimit të librit të parë shqip “Meshari” i Gjon Buzukut ( 1555).
Ndonëse në kushte tejet të vështira, kur pushtuesi osman po e forconte gjithnjë e më tepër pushtetin e tij feudalo-ushtarak, një i ri nga Nënshati i Zadrimës, vetëm 29 vjeç, pa mbaruar studimet teologjike në Romë, botoi fjalorin latinisht-shqip. Është i pari fjalor dygjuhësh latinisht- shqip, parathënia e të cilit mban datën 30 maj 1635. Ky student, nën ndikimin e të ungjit të tij Gjergj Bardhit, në
moshën 22-vjeçare shkoi për studime të larta në kolegjin ilirian të Loretos e më pas në kolegjin urban “Propaganda Fide” në Romë. Në maj të vitit 1636 kthehet në atdhe ku caktohet ipeshkëv i Sapës, detyrë të cilën do ta kryente deri në vitin 1643, vit kur vdiq Bardhi: Punën me fjalorin e nisi që kur ishte në Loreto, duke hyrë në historiografinë e leksikografisë shqiptare si hartuesi i të parit fjalor të gjuhës shqipe.