Lëvizja kaçake në Dukagjin, Plavë e Guci më 1912— 1915 sipas disa burimeve malazeze
Abstrakti
Lëvizja Kaçake në Plavë, Guci dhe Dukagjin, sikundër edhe në viset e tjera të banuara me popullatë shqiptare, ishte lëvizje masive. Pjesa dërmuese e forcave të kësaj lëvizjeje përbëhej nga radhët e fshatarësisë. Në një raport të dërguar nga Plava Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi thuhet: “Aq shumë ka marre hov Lëvizja Kaçake sa gjithë toka ka mbetur e shkretë. (.. .) Ju iutemi na këshilloni si të veprojmë”. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se në Lëvizjen Kaçake nuk kanë marrë pjesë edhe shtresat e ndryshme të popullatës së qytetit. Kaçakët gjatë stinës së dimrit strehoheshin nëpër shpella ose te miqtë e tyre, ndërsa gjatë kohës së mirë flinin nën qiell të hapët. Lëvizja Kaçake ka qenë më e fuqishme në fshatra që gravitonin nga Bjeshkët e Nemuna. Kjo për arsye se prej andej mund të kryenin më me sukses aksionet dhe më lehtë mund t'u shpëtonin ndjekjeve të organeve të regjimit malazez. Kaçakët kanë vepruar në grupe të vogla, të udhëhequra nga luftëtarët e dëshmuar më parë, për taktikë lufte, trimëri e guxim, të cilët gëzonin autoritet te pjesëtarët e tjerë të grupit.