Idetë socialiste-komuniste në Gjilan e rrethinë deri më 1920
Abstrakti
Koha në të cilën jetoi dhe veproi Zef Lush Marku (1885—1920) njëri ndër figurât e ndritshme të Lëvizjes punëtore e komuniste të Kosovës dhe më gjerë përputhet plotësisht edhe me shfaqjen dhe zhvillimin e ideve të para socialiste në Kosovë, pra edhe në Gjilan e rrethinë.
Zhvillimi dhe përhapja e ideve socialiste në Kosovë datojnë më vonë se në disa vise tjera të Jugosllavisë. Shkakun themelor të kësaj vonese duhet kërkuar në prapambeturinë e gjithmbarshme të këtij territori, që u trashëgua nga sundimi shumëshekullor Osman. Historia e Lëvizjes punëtore në Kosovë ka zanafillën në kohën e regjimit absolutist të Turqisë, ndërsa në kohën e Turqve të rinj kjo lëvizje në pikëpamje të numrit të anëtarëve arriti në nivel të lëvizjeve punëtore të vendeve fqinjë. Në këtë kohë u formuan njëra pas tjetrës organizatat profesionale e politike në të gjitha ato qytete që ishin të zhvilluara politikisht dhe ekonomikisht.
Si në viset tjera të Kosovës ashtu edhe në Gjilan dhe rrethinë idetë socialiste depërtuan nga viset tjera të Ballkanit, gjegjësisht nga ato vise ku klasa punëtore dhe idetë socialiste kishin depërtuar më herët dhe gjendeshin në një shkallë më të avancuar të zhvillimit ekonomik e shoqëror si dhe në shkallë më të avancuar të luftës klasore.