Formimi i Komitetit Nacional të Shqiptarëve të Kosovës dhe veprimtaria e tij 1945—1947
Abstrakti
Komiteti Nacional i Shqiptarëve ishte fryt i luftës shumëvjeçare të popujve tanë që të jetojnë të vëllazëruar e të bashkuar, të lirë dhe me mirëkuptim të plotë midis tyre. Komiteti u formua duke u mbështetur në përvojën e hidhur në të kaluarën, e cila mohonte të drejtat kombëtare të një populli që përbënte shumicën në këtë Krahinë, duke varrosur marrëdhëniet e ndërsjella vëllazërore dhe duke zhvilluar shovinizmin, e që njëherazi varroste dhe uzurponte lirinë e të gjithë popujve. Në një përfundim të tillë erdhi edhe udhëheqja e Kosovës dhe e Rrafshit të Dukagjinit, duke u mbështetur në parimin që shtruan klasikët e marksizmit — populli që shtyp tjetrin — nuk është as vetë i lirë. Prandaj vetëm me zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare, duke u dhënë të drejta të njëjta të gjithë popujve për afirmim kombëtar e kulturor, ishte e mundshme të sigurohej liria, e cila është një dhe e pandashme për të gjithë. Formimi i Jugosllavisë Demokratike Federative dhe formimi i njësive federale, pra edhe i Kosovës dhe i Rrafshit të Dukagjinit, ishte garanci se shoqëria kishte marrë orientim të mirë, duke zhdukur hegjemoninë që ishte krijuar gjatë gjithë ekzistimit të Jugosllavisë së vjetër dhe për të gjithë ishte e qartë se edhe katastrofa shtetërore e vitit 1941 ishte rezultat edhe i shtypjes kombëtare, prandaj vëllazërimi e bashkimi dhe të drejtat e barabarta kombëtare ishin garanci se e kaluara e tillë kurrë nuk do të kthehej. Nga ky kuptim, i cili më 1945 ishte bërë realitet, u lind Komiteti Nacional i Shqiptarëve në Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit. Komiteti Nacional i Shqiptarëve ishte organizatë nacionale e shqiptarëve të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, i cili kishte për detyrë të përfshinte në gjirin e vet masat shqiptare — të gjithë shqiptarët e ndershëm rreth një trupi dhe të punonte për ngritjen e tyre politike, kulturoarsimore dhe kombëtare në një shkallë më të lartë, të fitonte besim me vetvete dhe t'u ndihmohej për orientim në rrugën më të mirë të ardhmërisë.