Faktorët që ndikuan në ndryshimin e strukturës socialiste në fshatin e Kosovës (1918—1941)
Abstrakti
Kosova hyri në kuadrin e Mbretërisë jugosllave me një bazë shumë të ulët ekonomike që tregoi shenja të vogla përmirësimi edhe gjatë 23 vjetësh të jetës së saj në këtë Mbretëri. Si rrjedhim i raporteve ekonomike shoqërore të sistemit në fuqi, shpërpjesëtimi ndërmjet forcave prodhuese dhe marrëdhënieve në prodhim po bëhej gjithnjë e më i madh. Pikërisht këto rrethana dhe faktorë të tjerë bënë që ekonomia e Kosovës të karakterizohej me bujqësi primitive, me zejtari që ishte në krizë të përhershme, me industri fillestare që ishte e ngjashme me ato të tipit kolonial, tregti dhe sistem bankier që nuk ia dolën të loznin rolin e tyre ekonomik, me një komunikacion dhe shërbim hôtelier të nivelit të ulët që nuk i përmbushën kërkesat e popullsisë së kësaj treve.
Bujqësia, që ishte dega kryesore e ekonomisë, me organizimin e saj anakronik karakterizohej me prapambetjen e forcave prodhuese dhe me mbeturinat feudale në prodhim, që si rrjedhim kishte rendimente të ulta. Kjo gjendje në bujqësinë e Kosovës shpjegohet me mungesën e aplikimit të masave agroteknike, me mënyrën joracionale të shfrytëzimit të tokës së punueshme, me copëzimin e mëtejmë të pronave të tokave, jo vetëm si rezultat i shtimit të popullsisë, por edhe si rrjedhim i zbatimit të reformës agrare dhe të kolonizimit, vazhdimit të gjendjes së luftës, veprimit rrënues të krizave ekonomike dhe lëkundjeve të çmimeve të prodhimeve bujqësore, për shkak të thatësive të shpeshta si dhe goditjeve të kulturave bujqësore nga përmbytjet dhe breshëri.
Rezultat i faktorit historik dhe i bashkëveprimit të faktorëve të sipërthënë, struktura sociale e shtresave agrare ndryshoi gjithnjë më shumë, duke sjellur pjesën dërmuese të tyre në gjendje të rëndë ekonomike. Më parë po i japim disa nga faktorët që patën dorë më së shumti në krijimin e kësaj gjendjeje, që pastaj të flasim për shtresat e ndryshme agrare në Kosovë në këtë periudhë.