Raguzanët në Trepçë dhe në qytete përreth gjatë shekujve XIV—XV
Abstrakti
Sipas gërmimeve arkeologjike në rajonin e Mitrovicës së Titos së sotme, mund të konstatohet se në këtë trevë kanë ekzistuar disa lokalitete antike. Kështu, në Banjskë ka ekzistuar një stacion termal romak. Ndërkaq, me zbulimin e disa monumenteve epigrafike mund të supozojmë mundësia e ekzistimit të vendbanimit romak në këtë qytet, gjë që është vërtetuar edhe me rastin e zbulimit të nekropolit antik në periferi të qytetit. Në periudhën mesjetare, Mitrovicën e Titos, sipas hartës së Faber Licinit, shestuar në vitin 1560, e ndeshim me emrin Mitrouiza. Në dokumente raguziane të gjysmës së parë të shek. XV De Dimitrouic. Sipas Arnold Harffit, Mittrix. Ndërkaq, në hartën e Merkatorit e ndeshim të shënuar si Mitrouiza. Me periudhën antike lidhet edhe statio Vicianum (Vuçitema e sotme). Nga ky qytet janë të njohura disa monumente epigrafike, si dhe një kompleks i vogël arkitektonik (vila rustica). Meqë vendësit e kësaj ane dhe më vonë pushtuesit romakë dinin t’i shfrytëzonin burimet metalore dhe fakti se kjo trevë ishte shumë e pasur me këto burime, na bëjnë të kuptojmë se këtu u ngritën shumë vendbanime, që në antikitet.
Më vonë, në shek. IX, u ngrit për nevoja strategjike të pushtetit bizantin edhe Zveçani. Ndonëse kërkimet arkeologjike në këtë anë japin deri diku të dhëna të mjaftueshme, është vështirë të jepet ndonjë mendim i prerë për ekzistimin e Trepçës në periudhën antike. Trepça, pas burimeve mesjetare, zihet ngoje për herë të parë në vitin 1303. Në dokumentet mesjetare e ndeshim me emrin Trepça, Trepiçe, Tripçe, Tripza, Trepza etj.