Besëlidhjet në luftë kundër gjakmarrjes te shqiptarët
Abstrakti
Shekuj të tërë, madje gjer në fund të shekullit XIX, në Kosovë kishte pushtet të fortë dhe të konsoliduar, i cili do të mbronte jetën e njeriut dhe vlerat e tjera të rëndësishme. Këtë funksion e ushtruan kryesisht familja dhe fisi. Kjo mbrojtje bëhej në të shumtën e rasteve me kryerjen e gjakmarrjes, e cila ishte jo vetëm dënim, por edhe një lloj vërejtjeje serioze për familjen ose fisin tjetër që në të ardhmen të mos kryejë vepra të tilla apo të ngjashme. Edhe për shkak të rrethanave shoqërore-ekonomike, kulturore dhe politike që mbretëronin gjatë sundimit pesëshekullorë turk, gjakmarrja ishte dukuri shumë e përhapur. Turqit jo vetëm që nuk ndërmerrnin asgjë për ta kufizuar e për ta mënjanuar atë, por, përkundrazi, edhe e përkrahnin. Ata kryesve të veprave penale të vrasjeve, madje, ua njihin të drejtën e azilit në radhët e tyre, “disa raste të vrasjeve i shndërronin në grindje të përgjakshme ndërmjet vëllezërve dhe fiseve, të cilat në grindje dhe gjakosje shkatërroheshin ndërmjet tyre”.
Prania e gjakmarrjes në përmasa të gjëra, përveç pasojave të tjera të dëmshme, ishte edhe pengesë për bashkimin e popullit shqiptar në luftë kundër pushtetit turk dhe vendeve të tjera, të cilat, duke parë dekadencën e Perandorisë otomane, synonin t'i copëtonin territoret shqiptare ose të vendosnin dominimin e tyre. Për këtë arsye, pothuajse çdo aleancë e shqiptarëve në luftë kundër pushtuesit, veç të tjerash, e ndalonte për një kohë të caktuar edhe gjakmarrjen.