Diskriminimi religjioz e kulturor i Arbërve në Kosovë në kohën e pushtimit të nemanjidëve
Abstrakti
Territori i Dardanisë së dikurshme antike, e cila përfshinte edhe territorin e Kosovës së sotme, që nga viti 476, hynte në kuadër të zotërimeve të Perandorisë Bizantine. Por, gjatë rrjedhave të proceseve historike politike të mesjetës ky territor jo gjithnjë ishte pjesë e zotërimeve të Perandorisë Bizantine. Gjatë fundit të shekullit XI dhe XII ai ishte arenë konfliktesh midis ushtrisë bizantine dhe asaj serbe. Më 1093 zhupani serb Vukan sulmoi dhe dogji Lypjanin.1 Më vonë depërtoi në drejtim të Shkupit dhe në trevat e Tetovës, ku bëri rrënime të mëdha.2 Në saje të këtyre rrethanave të krijuara, sipas burimeve historike, perandori bizantin në fund të vitit 1093 ose në fillim të atij 1094, u nis vetë për në Kosovë më qëllim që të rikthente Lypjanin dhe trojet e tjera të pushtuara nga zhupani i Rashës. Pasi që u informua për ekspeditën e perandorit bizantin, zhupani serb Vukan iku në Zveçan “qytezë në trevën malore të Zigonit, në kufi midis tokave bizantine dhe Dalamcisë”.3 Luftimet rreth Zveçanit zgjatën edhe në gjysmën e parë të shek. XII.