Vështrim i shkurtër mbi traditën e trashëguar nga arti i të kërcyerit
Abstract
Në raport me simotrat e saj në Europë dhe në botë, koreografia shqiptare vjen shumë më vonë. Ajo nyjëtohet si e tillë aty nga viti 1920 me çeljen e qendrës së dancit tradicional në Tiranë “Cerkllë Dansi”. Dhe kjo kishte arsyet e veta. Një popull i zhytur dhe i mbajtur në injorancë e prapambetje të thellë kulturore nga sundimi i stërzgjatur 500 vjeçar otoman, e kishte thuajse të pamundur praninë e teatrit, aq më tepër kur ishte fjala për artin e baletit, i cili kërkon ca më shumë edhe një emancipim qytetar, sepse si material artistik ai ka pikërisht trupin e balerinit, e sidomos trupin e balerinës, tepër e vështirë për t’u ekspozuar në një shoqëri tejet të ngurtë, patriarkale dhe tabuiste si ajo e Shqipërisë së shekujve para pavarësisë. Ashtu si gjetkë në artet shqiptare, bulëzat apo sythet edhe në balet i gjejmë pikërisht te tabani dhe arsenali i pasur i artit popullor, te kjo traditë e shëndoshë dhe e fuqishme, e cila, në të vërtetë, shënjon shpirtin dhe identitetin kulturor të popullit tonë, duke qenë pra një nga shprehjet më të drejtpërdrejta të trungut dhe skeletit antropologjik të këtij identiteti. Dhe, siç është e njohur, vallja popullore folklorike, ajo e veriut dhe ajo e jugut, me vrullet e saj luftarake, ashkun epik, patosin heroik, shumë herë edhe me tonet e saj lirike, erotike apo gazmore, me natyrën dëfryese dhe energjinë, thurte në aspektet më inspiruese e sublime të saj shumëçka që shpirti dhe historia e popullit tonë mbartte apo bënte në rrjedhën e kohës.