Politika e artit të instalacionit si politikë e arkivit
tri raste studimore
DOI:
https://doi.org/10.71398/as.v19i19.492Abstract
Në këtë artikull shqyrtohen tri ekspozita që janё hapur vitet e fundit nё Tiranё, të cilat kanё nё fokus arkivat e periudhës komuniste të Ministrisë së Mbrojtjes (Bunk’Art I), Ministrisë së Brendshme (Bunk’Art II) dhe ish-Sigurimit të Shtetit (Shtëpia e Gjetheve). Ajo çka të bie në sy kur i sheh këto ekspozita, është mënyra e vetëdijshme se si ato përvetësojnë dhe shfrytëzojnë “gjuhën” ose konvencionet e instalacioneve artistike e kuratoriale bashkëkohore, siç janë, për shembull, perspektiva e trupëzuar, zhytja (immersion) në një ambient apo situatë të caktuar, teatraliteti etj., për të ndërmjetësuar marrëdhënien e audiencave bashkëkohore me të kaluarën komuniste. Në këto kushte, vetvetiu lind pyetja nëse përdorimi i “gjuhës” ose konvencioneve të instalacioneve artistike e kuratoriale bashkëkohore në këto ekspozita e bën të kaluarën komuniste vërtetё më transparente e më të aksesueshme për audiencat bashkëkohore, siç dhe pretendohet, apo nëse, në të kundërt, kjo ёshtё njё strategji qё e bën kёtë tё kaluar akoma më të vështirë për t’u lexuar.
Tradicionalisht, forma e instalacionit është diskutuar si një praktikё artistike veçanërisht demokratike, duke qenë se ajo e shkyç hapësirën e veprës së artit ndaj një komuniteti vizitorësh. Megjithatë, kohët e fundit, kritikë të ndryshёm si Boris Groys, për shembull, kanë nxjerr nё pah aktin e dhunshëm dhe thelbësisht jodemokratik nëpërmjet të cilit hapësira e instalacionit krijohet në radhë të parë. Ky është akti i privatizimit simbolik të hapësirës publike të ekspozitës së artit, mbi të cilën autori i instalacionit ushtron një kontroll absolut. Parё nё kёtё kёndvёshtrim, instalacionet artistike e kuratoriale “zbulojnë dimensionin e fshehur sovran që karakterizon rendin demokratik bashkëkohor dhe që politika përpiqet, më së shumti, ta fshehë”.2
Në këtë shkrim unë do të tregoj se si ekspozitat e Bunk’Art I, Bunk’Art II dhe Shtëpisë së Gjetheve jo vetëm që zbulojnë tepricën e sovranitetit në themel të rendit politik bashkëkohor shqiptar, por edhe një vizion të politikës si një instalacion artistik – ose ekspozitë bashkёkohore arti – që po zbatohet në rang kombëtar.