Vlera aspektore e të kryerës së gjuhës Shqipe
DOI:
https://doi.org/10.62006/sf.v74i3-4.1001Abstrakti
Dalja e tri konstrukteve foljore, përkatësisht konstrukti i së pakryerës, i aoristit dhe i të kryerës, si konstrukte kohore paralele që karakterizohen nga i njëjti raport kohor në lidhje me çastin e ligjërimit për rastin e gjuhës shqipe, dhe jo vetëm për të, por edhe për gjuhët neolatine apo për greqishten etj., shtron kërkesën e përcaktimit dhe të identifikimit të një kuptimi gramatikor invariant të veçantë për secilën prej tyre. Ndërsa për të pakryerën dhe aoristin tradicionalisht është pranuar një dallim aspektor, imperfektiv – perfektiv, për të kryerën, deri më sot, në studimet albanologjike nuk është përcaktuar një dallim i qartë aspektor, çka do të përbënte një domosdoshmëri, parë nga këndvështrimi i studimit dhe përcaktimit të lidhjeve dhe kundërvënieve që përcaktojnë organizimin e sistemit foljor të gjuhës shqipe. Pikërisht perspektiva aspektore e të kryerës do të përbëjë edhe objektin e këtij punimi, në të cilin synohet të argumentohet se e kryera, në dallim nga e pakryera dhe aoristi, karakterizohet nga një këndvështrim i veçantë aspektor, të cilin do të parapëlqejmë ta karakterizojmë si aspekt i përfunduar. Për argumentimin e kësaj ideje do të mbështetemi në analizën sinkronike të së kryerës në përqasje me atë të aoristit, duke shfrytëzuar arritjet më të fundit të studimeve gjuhësore në këtë lëmë, përkatësisht ato të zhvilluara në kuadrin e gramatikës kognitive.