Nekrologji
Remzi Përnaska - gjuhëtari i shquar, mësuesi e pedagogu i përkushtuar i Shqipes e kulturës Shqiptare
DOI:
https://doi.org/10.62006/sf.v74i3-4.1007Abstrakti
Është tejet e dhimbshme në çdo rast humbja e largimi nga jeta e një njeriu të afërt, e një shoku a miku, humbje që shkakton boshllëk e trishtim për familjarët, shokët e miqtë; por kjo dhimbje fiton përmasë edhe më të madhe kur njeriu i larguar nga jeta lë një vepër në shërbim të njerëzve e kontaktet me ta i ka pas vendosur përmes veprës së tij, veprimtarisë së tij, përkushtimit dhe përmbushjes së një misioni. Rasti i studiuesve e dijetarëve, i mësimdhënësve universitarë është ndër më domethënësit e zgjerimit të kësaj dhimbjeje, sepse breza të tërë janë lidhur shpirtërisht e intelektualisht me dijetarin a mësimdhënësin, duke krijuar lidhjen e përhershme edhe pa qenë pranë me ta. E tillë është dhimbja edhe për largimin nga jeta, më 4 nëntor 2020,i prof. Remzi Përnaskës, studiuesit të devotshëm të shqipes e kulturës shqiptare, mësimdhënësit të pasionuar në auditoret e universiteteve shqiptare e atyre jashtë Shqipërisë. Jeta e tij, në segmente të ndryshme të saj, u lidh me vende e qytete të ndryshme: në gjashtë vitet e para ai jetoi në qytetin e Strugës, pranë familjes së gjyshit të tij nga nëna, patriotit e firmëtarit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Nuri Sojlit; më tej me qytetin e Korçës, ku u shkollua deri në shkollën e mesme; më tej me Tiranën e Moskën, ku kreu studimet e larta; me Elbasanin, ku punoi në qytetin e Cërrikut në rininë e hershme dhe Universitetin “A. Xhuvani” ku ligjëroi për vite të tëra në moshën e mbrame; dhe me Parisin, ku ligjëroi për gjuhën shqipe e qytetërimin shqiptar në dy institucione të rëndësishme, si Instituti i Gjuhëve e Qytetërimeve të Lindjes (INALCO) dhe Shkollën Praktike të Studimeve të Larta të Sorbonës, ku me kompetencë të plotë profesionale e shkencore ofroi si model personalitetin e studiuesit shqiptar. Profesor doktor Remzi Përnaska është gjuhëtar i shquar shqiptar dhe mësues e pedagog i përkushtuar i arsimit shqiptar. Fusha ku ka punuar më shumë është sintaksa e gjuhës shqipe ku ka sjellë vështrime të reja me interes edhe për gjuhësinë e përgjithshme e atë teorike.