Si të lexojmë veprën e Budit “Speculum Confessionis”?
Abstrakti
Kërkimet e mëparshme në fushën e filologjisë ballkanike kanë synuar të vënë në dukje ngjashmëritë dhe përkimet e shumta që kanë gjuhët e Ballkanit me njëra-tjetrën dhe të cilat së bashku përbëjnë Lidhjen gjuhësore ballkanike ose Sprachbund-in ballkanik. Që nga botimi i manualit ende të pazëvendësueshëm të Sandfeldit1, gjuhëtarët janë përqendruar kryesisht në përshkrimin e ballkanizmave, me ndihmën e teorive tipologjike bashkëkohore dhe me vështrim më të thelluar në mekanizmat gjuhësorë të bilinguizmit (gjuhëve në kontakt). Tashmë e kemi të qartë që ekzistojnë lloje të ndryshme ballkanizmash, që gjuhët ballkanike sillen në mënyra të ndryshme me këto ballkanizma, dhe se ballkanizmat kanë mosha të ndryshme. Në të njëjtën kohë kërkimet e fundit kanë filluar të shfaqin interes të shtuar në historinë e ballkanizmave të veçantë në gjuhët e veçanta ballkanike. Gjuha shqipe mban një pozitë qendrore në të gjitha këto hulumtime3. Kjo është krejt e natyrshme duke pasur parasysh faktin se shqiptarët kanë jetuar në Ballkan së bashku me grekët para se të vinin atje romakët dhe shumë kohë më parë se sllavët dhe turqit të pushtonin gadishullin. Për dymijë vjet shqipja ka qenë njëra nga “gjuhët në kontakt”; dhe, meqenëse ne tani mendojmë se shqipja më e hershme flitej në një hapësirë mjaft më të gjerë sesa sot, mund të përfytyrojmë me siguri se hapësira e kontaktit mes shqipes dhe gjuhëve të tjera (greqishtes, latino-romanishtes, sllavishtes) ka pasur shtrirje të konsiderueshme.