Evolucioni i mesazhit dhe i formës në krijimet rinore të De Radës deri te “Këngët e Milosaos”
Abstrakti
Më 1836, pra, vetëm në moshën njëzetedyvjeçare, Jeronim De Rada do të nxirrte në dritë veprën e vet të parë, “Këngët e Milosaos”, birit të despotit të Shkodrës1. Ky krijim poetik është një kryevepër e letërsisë arbëreshe dhe, në një rrafsh më të gjerë, e letërsisë shqiptare. Njëkohësisht, ndonëse nuk u pranua gjerësisht, sipas nesh, është një vepër në lartësinë e krijimeve të shquara europiane bashkëkohore si “Graciela” ose “Zhosëlen” e Lamartinit2, “Çajld Haroldit” i Bajronit ose “Eugjen Onjegin” i Pushkinit. Pra, poeti i ri, si për mrekulli, kishte goditur në shenjë që në shpërthimin e parë të frymëzimit rinor. Në një moshë kur shumica e talenteve nuk janë ende të çliruar nga imitimet, kur individualiteti i tyre krijues është ende në një fazë embrionale, De Rada shfaqte një origjinalitet të fuqishëm, kishte arritur të mishëronte një mesazh të lartë e të pasur në një formë gati të përsosur. Për më tepër ky poet i ri ishte përfaqësuesi i parë i letërsisë me dinjitet artistik dhe me frymë laike, i letërsisë arbëreshe që lëkundej midis dy kulturave, asaj në formim e sipër të atdheut të origjinës që gjer atëherë jetonte tek arbëreshët kryesisht përmes folklorit dhe kulturës së vendlindjes, të atdheut fizik, letërsisë, tepër të rafinuar italiane. De Rada ishte edhe përfaqësuesi i parë i drejtimit romantik në këtë letërsi, dukuri kjo tepër e veçantë. Ishte pra një themelues dhe kishte arritur të krijonte një shkollë në gjirin e së cilës do ta ndiqnin dishepuj të tjerë, të shquar a më pak të shquar si Gavril Dara, Anton Santori, Zef Skiroi.