E folmja e Kudhësit
Abstrakti
Kudhësi, është i vetmi fshat në krahinë, që ka qenë i “larguar” nga syri i udhëtarëve, ushtrive dhe vizitorëve. Gjashtë kilometra larg vijës bregdetare e kanë bërë të jetë mbështetja në prapavijë, kur i është dashur më shumë krahinës dhe historisë së saj.
Komunikimi, këngët, shprehjet, pasuria gjuhësore, format e të shprehurit janë sa të përfshira, aq edhe të veçanta, sepse Kudhësi Perivoli është “porta”, që lidh Krahinën me Kurveleshin e Lumin e Vlorës, ku komunikimi ka qenë i afërt për shkak të natyrës baritore. E folmja e Kudhësit është shtrati konservativ, ku ruhen ende format e vjetruara të gjuhës, të veçorive të leksikut, si edhe theksit të fjalëve në këngë, bejte, humor, vaje, shprehje e ligjërim. Kjo pasuri gjuhësore e leksikore është studiuar e vrojtuar në sipërfaqe, se kanë munguar studimet e thelluara. Kudhësi, si trevë interesante gjuhësore, me të folme të veçantë, të vonuar në trajta gjuhësore dhe të “përzier”, ngjall interes studimi. Lidhjet njerëzore nga shtegtimi i bagëtive, tregtia e produkteve blegtorale, shkëmbimi i ullinjve, portokajve, fiqve të konservuar, frutave, rakisë dhe verës kanë bërë që të marrë, por dhe të lerë gjurmë fonetike në fjalë e shprehje. Ka qenë urë komunikimi e mirëkuptimi për të gjithë ata që i zuri halli, nata apo ua kërkoi mbijetesa. Veçoritë gjuhësore që vërehen janë fonetike, gramatikore, leksikore, ku vihet re ruajtja e formave të vjetra.