Simpoziumi shkencor “Aleksandër Xhuvani në leksikografinë Shqiptare”
Abstrakti
Departamenti i Leksikologjisë, Terminologjisë dhe Gjuhësisë së Zbatuar i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhësisë të Fakultetit të Shkencave Humane, pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, organizuan në mjediset e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, dt. 3 dhjetor 2021, Simpoziumin shkencor “Aleksandër Xhuvani në leksikografinë shqiptare”. Vepra e Aleksandër Xhuvanit (1880-1961), e shtrirë në gjashtë dhjetëvjeçarë pune të pareshtur për gjuhën e shqiptarëve dhe shkollat e tyre, qëndron e kthjellët dhe e vlershme sot e gjithë ditën për kulturën tonë, kur bëhen 60-vjet nga vdekja e gjuhëtarit, dhe prezantohet në vendlindjen e tij, Elbasan, Fjalori i gjuhës shqipe. Fjalori, i përgatitur për botim nga Engjëllushe Karaj (ASA), u promovua në këtë simpozium shkencor. Në Fjalor kanë zënë vend një pasuri me rëndësi gjuhësore kombëtare, që shkon në rreth 45.000 skeda. Valter Memisha bëri një përqasje mes veprave të Xhuvanit dhe Kristoforidhit. “Fjalor i gjuhës shqipe” i Xhuvanit ose “Kristoforidhi i vogël”, ashtu si vepra e Kristoforidhit, të cilin e përgatiti për botim Xhuvani dhe u botua më 1961, është mbledhje e fjalëve dhe shprehjeve frazeologjike shqipe kryesisht nga goja e popullit. Xhuvani ka regjistruar saktë fonetikisht dhe semantikisht njësitë, ashtu si i ka dëgjuar, një kriter i patjetërsueshëm i punës në terren dhe i leksikografisë dialektore. “Dhe përsëri përqasja me Kristoforidhin”, vëren prof. dr. Memisha, “i cili sipas Xhuvanit, ka qenë një vërejtës i mirë dhe ka pasë vesh të një fonetikani të mirë”.