Dogançja e folmja shoqnore e zejtarve shetitës të rrethit të Përmetit dhe Leskovikut
Abstrakti
Fjala dogançe përdoret si formitn ndajfoljor: rrue dogançe, ja pëlcet dogançe (kupton, flet dogançe), po edhe si emën dogançe — dogançja. Me kët termë kuptohet nji nga të folinet tona shoqnore ma të përhapuna nga pikpamja e shtrimjes gjeografike dhe e zejtarve që e përdorin, si edhe ma të pasunat përsa u përket krijimeve të saj leksikore. Votra e lindjes dhe e zhvillimit të kësaj së folmeje asht Malshova, nji krahinë malore që shtrihet në J.P. të Përmetit dhe që përmbledh, në nji vështrim të zgjanuem, katundet Brezhdan, Limar, Malshovë, Leskaj, Kala. Prej këndej ajo asht përhapë dhe flitet me variante! e veta nga zejtarë të tjerë shetitës: nga xharenjtë e Bualit, sharraxhitë e Rrëzës së Përmetit, mballomaxhitë e këpucarët e Podës së Leskovikut, muratorët e katundit Shalës, nga tavanxhitë dhe kallajxhitë e Vërtopit të Beratit. Elemente të shkëputuna të saj kanë arritë deri në rrethet e kallajxhive të Elbasanit, Kavajës, Tiranës e Shkodrës. Gjanësia e leksikut, stabiliteti i kuptimit të fjalëve, lehtësia e ndërlidhjes morfologjike e sintaktike, i kanë dhanë aftësi kësaj së folmeje të shprehi, jo vetëm ide që kanë lidhje me nevojat e zanatit, po edhe mendime
ma të ndërlikueme. Nga të folmet tona shoqnore, vetëm në dogançe ne kemi mundë të regjistrojmë biseda, ngjarje e tregime humoristike me karakter të gjanë tregimtar.