Përkthimet dhe parapëlqimet letrare e kulturore, si tregues i pozicionimit estetik-letrar dhe paratopisë krijuese të poetit Vilson Blloshmi

Autorët

  • Tomorr Plangarica

DOI:

https://doi.org/10.62006/sf.v1i3-4.3021

Abstrakti

Studimi synon të sjellë të dhëna dhe të bëjë interpretime për një rast tejet specifik në letrat shqipe, për një poet, krijimtaria e të cilit u vu në kontakt me lexuesin veçse shumë vite pas largimit nga jeta të autorit të tyre. Bëhet fjalë për Vilson Blloshmin (i pushkatuar kur ishte 29 vjeç (1948-1977)), i cili shkroi poezi, përktheu krijime letrare, kryesisht nga letërsia franceze, por nuk mundi të bëjë publike qoftë krijimet e tij poetike origjinale, qoftë përkthimet letrare, sepse nuk arriti të bëhet pjesë e fushës letrare të kohës, si pasojë e paragjykimeve klasore. Qasjet a pikëvështrimet e sotme në studimet letrare, në shkencat e ligjërimit e përkatësisht në analizën e diskursit letrar, konceptet dhe interpretimet për nocionet a kategoritë vetje biografike (individi me biografinë përkatëse jetësore jashtëletrare), shkrimtar, thënës a thëniepërftues në tekst (enonciateur), dokument/dorëshkrim, tekst (letrar) a vepër (letrare) ndihmojnë në shqyrtimin dhe rikuptimësimin e kësaj trashëgimie në dorëshkrim të V. Blloshmit që, në kontakt tashmë me lexuesin e sotëm, është formësuar si vepër letrare. Përkthimet, si dhe tekstet në frëngjisht të autorëve francezë, kryesisht të shekujve XIX dhe XX, të kopjuara me shkrim dore nga botime të ndryshme në gjuhën frënge, krijojnë një “antologji” poetike, e cila, edhe pse nuk erdhi e tëra në shqip, ndihmon të njihen parapëlqimet e tij letrare e kulturore, pozicionimi i tij estetik; ndihmon të njihet më nga afër procesi krijues i poetit, paratopia krijuese e tij; e, në këtë mënyrë, ndihmohemi të rikuptimësojmë dhe shijojmë edhe krijimtarinë origjinale poetike të tij.

Fjalët kyçe:

autor, vetje biografike, shkrimtar, qenie tekstore, paratopi, pozicionim estetik, skenë e të thënit, dorëshkrim, dokument, vepër letrare

Shkarkimet

Download data is not yet available.

Metrics

Metrics Loading ...

References

  1. Vilson Blloshmi (18.03.1948-17.07.1977) lindi në Bërzeshtë të Librazhdit. Pas përfundimit të shkollës së mesme pedagogjike në Elbasan, për arsye politike (familja e tij ishte shpallur „kulak“) nuk iu dha e drejta e vijimit të studimeve në arsimin e lartë. Madje nuk iu dha as e drejta e ushtrimit të profesionit të mësuesit, ndaj qe i detyruar të punojë në fshatin e tij si bujk, si druvar në Stravaj e si minator në minierën e Përrenjasit. Me dhuntinë e lindur të poetit dhe vullnetin e paepur të njeriut të etur për dije e kulturë, i kundërqëndroi heshturazi privimeve sociale dhe qe i vetëdijshëm që nuk do të gjente hapësirat që meritonte në institucionin a fushën letrare të kohës; shkroi poezi (edhe pse nuk arriti të botojë asnjë prej tyre), mësoi gjuhë të huaja, u dashurua veçanërisht pas gjuhës frënge, kulturës e poezisë franceze, sidomos asaj të shekullit XIX dhe XX, projektoi të sillte në shqip perla të asaj krijimtarie, prej së cilës arriti të përkthejë veçse një pjesë të tyre (nuk arriti po ashtu të bëjë publike asnjë prej përkthimeve). U arrestua në gusht të vitit 1976 dhe, nën akuzën për “sabotim në ekonomi dhe agjitacion e propagandë”, u pushkatua më 17 korrik 1977 (së bashku me kushëririn e tij, po ashtu poet, Genc Leka). Trashëgojmë prej tij veçse dorëshkrime të kësaj pune krijuese e intelektuale (edhe ato, pjesa më e madhe të gjendura dosjeve të hetuesisë, pas konfiskimit), dorëshkrime që u botuan shumë më vonë dhe tani janë në komunikim me lexuesin.

  2. Themi “transpozohet”, duke parakuptuar jo vetëm formësimin e brendisë në gjuhën pritëse, por edhe simbolikën e përftuar rishtas; kemi pasur parasysh pikëvështrimin e R. Jakobsonit kur pohon se “poezia si përkufizim është e papërkthyeshme. Është i mundshëm veçse transpozimi krijues” (Aspects linguistiques: de la traduction në “Essais de linguistique générale”, Paris, Ed. de Minuit, 1986, f. 86). Siç vërehet tashmë në studime të ndryshme, “në këtë përcaktim shihet ndikimi i tezave të W. von Humboldtit sipas të cilave poezia do të ishte një mënyrë të foluri që ndërmerr lidhje “mistike” me gjuhën, një simbol i një vizioni të veçantë të botës (një Weltanschauung). Ky raport kalon nëpërmjet shenjave dhe tingujve të kombinuar në mënyrë të pandashme, sepse poezia është një mënyrë të shkruari që ka të bëjë me temperamentin dhe anën simbolike par excellence “ (cituar nga Christine Lombez, Traduire en poète, Philippe Jaccottet, Armand Robin, Samuel Beckett, Le Seuil, “Poétique”, 2003, n°135, f. 355. [edhe En ligne]

  3. Duke pasur parasysh këndvështrimin e F. Rastiesë (F. Rastier) në dallimin mes nocioneve e kategorive dokument, tekst dhe vepër (në “La sémiotique des textes, du document à l’oeuvre” në “Documents, textes, oeuvres”, Rennes, PUR, 2014: 13-39), po theksojmë përmbledhtas se, në vijim, me dokument do të parakuptojmë dorëshkrimin e paintegruar në procesin e komunikimit, dëshmi të një përpjekjeje vetjake të të shkruarit mbi një objekt shkrimi; me tekst, mesazhin shkrimor që interpretohet përgjatë leximit, në përbërje të një korpusi edhe më të gjerë mesazhesh, në marrëdhënie ndërtekstore me mesazhin përkatës, që bart vlera sa etike po aq edhe estetike; dhe me vepër, një tekst a tërësi tekstesh si vlerë kulturore, në kontakt me lexuesin dhe të mundësuar nga ndërmjetës të natyrave të ndryshme që realizojnë këtë kontakt.

  4. Nga ky pikëvështrim, dorëshkrimet që V. Blloshmi ka lënë në formën e poezive, përkthimeve, shënimeve, ditarit, etj. “u lexuan” si tekste përgjatë procesit të hetuesisë që e dënoi me vdekje, u (keq)kuptimësuan dhe (keq)interpretuan në ato kontakte të para me lexuesin, nga ai lloj lexuesi, që krijesën poetike të Blloshmit nuk e priti me duart e kujdesshme e të brishta të mamisë, por me duart që mbanin veglat e xhelatit. Dhe shumë vite pas pushkatimit të poetit, ato dorëshkrime e tekste futen në kontakt me lexuesin e gjerë, përmes procesit botues, kritikës e studimit të instancave shqyrtuese të institucionit letrar të ditëve tona, studiuesve, kritikëve letrarë, mësuesve të letërsisë etj., duke përfaqësuar në këtë mënyrë veprën letrare të V. Blloshmit.

  5. I qasemi në këtë mënyrë figurës së autorit, për të mundësuar interpretime më të sigurta e më të plota në lidhje me veprën dhe procesin e ngjizjes së saj. Sipas M. Fukosë ka një ndryshim mes një emri të përveçëm të zakonshëm dhe një emri autori; sipas tij “lidhja e emrit të përveçëm me individin që mban këtë emër dhe emrit të autorit me personin që e mban, nuk janë izomorfe dhe nuk funksionojnë në të njëjtën mënyrë. [...]emri i përveçëm “Pierre Dupont” i referohet një personi, pavarësisht vetive që ai bart, ndërsa emri i autorit “Shekspir” është ai që ka shkruar veprat që i atribuojmë këtij emri dhe individualiteti i të cilit do të ishte tjetër nëse edhe vepra do të ishte po ashtu tjetër”. Gjithsesi, duke i njohur këtë status të autorit, nuk e kemi vendosur në hierarkinë e vlerave; duhet studiuar e interpretuar nga afër vepra e tij në të gjithë përbërësit. Siç thekson studiuesja Inger Ǿstenstad, “emri i autorit është i rëndësishëm për interpretim më shumë se të përvijojë një vend të caktuar në diskursin letrar dhe të bartë një funksion mirëfilli taksonimik” (cituar nga Inger Ǿstenstad, Quel importance a le nom de l’auteur?, Argumentation et Analyse du Discours, Ethos discoursif et image d’auteur”, 3/2009). [En ligne: URL : http:// journals.openedition.org/aad/665 ; DOI : 10.4000/aad.665]

  6. Edhe përvoja kulturore europiane, e më gjerë, ka shembuj jo të paktë që pjesë e identitetit të poetëve në zë të bëhet edhe ajo pjesë e punës së tyre që ka të bëjë me përkthimtarinë, që zë vend, po ashtu, brenda veprës së botuar me krijimtarinë origjinale të tyre.

  7. Shih Dominique Maingueneau, Le discours littéraire, Paratopie et scène d’énonciation, Armand Colin, 2004, 2014, f. 107-108.

  8. Dominique Maingeneau, po aty, f. 108.

  9. Dominique Maingeneau, vep. cit. F. 75.

  10. Shih Inger Ǿstenstad, vep. cit. [En ligne,URL:http:/journals.openedition.org/aaad/665;OOI:10.4000/aaad.665]

  11. Dominique Maingeneau, vep. cit., f. 72.

  12. Shih më gjerë, Sadik Bejko, në Vilson Blloshmi, Vepra I, Botimet “Almera”, 2008, f. 11-16.

  13. Yves Bonnefoy, Traduire la poésie? në “Tribune internationale des langue vivante”, novembre 1989, faqe 14 (poet-përkthyes që solli me mjeshtëri në frëngjisht sidomos Shekspirin, por edhe të tjerë shkrimtarë të mëdhenj).

  14. Christine Lombez, art. cit., f.358.

  15. Cituar nga Vilson Blloshmi, Vepra I, vep. cit., f. 39-40.

  16. Dominique Maingueneau, Le contexte de l’oeuvre littéraire, Énonciation, écrivain, société, Dunod, Paris, 1993, f. 28.

  17. Dominique Maingeneau, po aty, f. 27.

  18. Cituar nga Simone Giusti, Trois poètes traducteurs de poètes (përkthyer në frëngjisht nga Marie-France Merger) në RIEF Revue Italienne d’Etudes Françaises, Littérature, langue, culture, 6/2016, [En ligne URL:/journals.openedition.org/rief1130; DOI:10.4000/rief1130, 19 prill 2019.

  19. Cituar nga Vilson Blloshmi, Vepra I, vep. cit., f. 188.

  20. Cituar nga Vilson Blloshmi, Vepra I, vep. cit., në studimin hyrës të Sadik Bejkos, f. 53.

  21. Cituar nga Vilson Blloshmi, Vepra I, vep. cit., f. 188.

  22. Këto materiale (të fotokopjuara) zotërohen tashmë nga familja Blloshmi, të cilën e falenderojmë që na mundësoi t’i konsultojmë.

  23. Të dhënat e mësipërme për autorët dhe veprat janë mbështetur në informacionet e pranishme në botimet e veprave të autorëve në kolanat Poésie/Gallimard, Collection des Classiques Garnier, Classique Larousse, Garnier-Flammarion; në Le Petit Robert 2 – Dictionnaire de Culture Générale, 1991, si dhe në informacionet enciklopedike në Wikipédia (En ligne).

Downloads

Botuar

2023-12-01

Si të citoni

Plangarica , T. (2023). Përkthimet dhe parapëlqimet letrare e kulturore, si tregues i pozicionimit estetik-letrar dhe paratopisë krijuese të poetit Vilson Blloshmi. Studime Filologjike, 1(3-4), 63–84. https://doi.org/10.62006/sf.v1i3-4.3021