Për receptimin e veprës së Emil Zolait në mjedisin kulturor shqiptar

Autorët

  • Tomorr Plangarica

DOI:

https://doi.org/10.62006/sf.v1i1-2.3091

Abstrakti

Artikulli synon paraqitjen sa më të plotë të veçantive të receptimit të veprës së Emil Zolait në mjedisin leximor/studimor shqiptar përgjatë shekullit XX, sidomos në vitet 1945-1990, periudhë kur u përkthyen në gjuhën shqipe disa prej romaneve e novelave të tij. Interpretimet në lidhje me vlerat e prozës së tij, pajtimet a mospajtimet me metodën e tij krijuese, natyralizmin, të pranishme në studimet kritike dhe estetike që paraqitnin linjën zyrtare të kohës, artikujt studimorë e informativë në revistat e gazetat e kohës, si dhe trajtesat e profesoratit universitar të letërsisë së huaj përbëjnë dëshmitë konkrete të atij receptimi, proces që kushtëzohet jo vetëm nga tiparet e veprës letrare, por edhe nga konteksti social, historik, ideologjik, estetik e letrar në të cilin kryhej ai proces i receptimit. Qasja teorike në shqyrtimin e këtij procesi është mbështetur në teoritë e receptimit dhe hermeneutikës letrare, aspekte të caktuara të të cilave janë të pranishme në trajtesë, për të ndriçuar më plotë natyrën dhe veçantitë e receptimit të veprës në mjedisin kulturor shqiptar. Për të krijuar një kontekst sa më të përshtatshëm të shqyrtimeve të bëra, janë sjellë të dhëna dhe interpretime edhe nga veçantitë e receptimit të veprës së Zolait në Francë dhe jashtë saj, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur vërehet një interesim, madje edhe një periudhë e rehabilitimit, në lidhje me veprën dhe personalitetin e tij krijues, edhe pse në mënyrë jo të njëjtë në mjediset kulturore e studimore të Europës së ndarë nga “Perdja e hekurt”.

Fjalët kyçe:

receptim (i veprës letrare), teori të receptimit, estetikë e receptimit, hermeneutikë, të lexuarit e orientuar, lexues real, lexues model, horizont pritjeje

Shkarkimet

Download data is not yet available.

Metrics

Metrics Loading ...

References

  1. Shih më gjerë, Hans Robert Jauss, Pour une esthétique de la réception, NRF Gallimard, 1978, faqe 50 ; dhe Nathalie Piegay-Gross, Le lecteur, Editions Flammarion, Paris, 2002, f. 54.

  2. Sipas Hans-Georg Gadamer-it “[...] horizonti a pikëvështrimi i së tashmes është në formim të vijueshëm në kuptimin që na duhet të vëmë në provë gjykimet a paragjykimet tona. Është kjo vënie në provë që na çon tek e shkuara dhe na mundëson ta kuptojmë traditën prej së cilës vijmë. Horizonti a pikëvështrimi i së tashmes s’mund të formësohet pa të shkuarën. [...] Të kuptuarit konsiston më së shumti në procesin e shkrirjes së këtyre horizonteve që mëtojmë t’i vështrojmë ndarazi. [...] Në aktin e të kuptuarit ndodh një shkrirje e horizonteve në saje të të cilave përvijimi i pikëvështrimit historik është pjesë përbërëse dhe i fshirë njëherazi” (Hans-Georg Gadamer, Verité et méthode, Les grandes lignes d’une herméneutique philosophique, Editions du Seuil, Paris, 1976, f. 147-148).

  3. Shih në “Etudes littéraires”, në Nouveau dictionnaire encyclopédique des sciences du langage të Oswald Ducrot-së, Jean-Marie Schaeffer-it, Editions du Seuil, 1972, 1995, f. 87-89.

  4. Po aty.

  5. Shih Antoine Compagnon, Le démon de la théorie, Littérature et sens commun, Editions du Seuil, 1998, f. 163.

  6. Shih U. Eco, Les limites de l’interprétation, Grasset, Paris, 1992, f. 8.

  7. Kontekstualizimi i mësipërm i pohimeve të U. Ecos është mbështetur në Ph. Robert-Demontrond, “Introduction”, në L’interprétation du Discours, Editions Apogée, 2006, f. 15.

  8. Shih më gjerë në Nicolas Carpentiers La lecture selon Barthes, L’Harmattan 1998, f. 65-80 dhe zërin “Hermeneutikë” në Dictionnaire du littéraire, sous la direction de Paul Aron, Denis Saint-Jacques, Alain Viala, PUF, “Quadrige”, 2004, f. 270-271.

  9. Ja disa të dhëna domethënëse të këtij interesimi sërishmi në mjedisin kulturor/studimor francez dhe gjerman, duke filluar nga gjysma e dytë e shekult XX: në Francë, më 1954, një vepër e Zolait futet në programet e konkursit për rekrutimin e mësuesve; më 1960 Pléiade boton “Rugon Makarët“ (të drejtuar nga Armand Lanoux-ja, personalitet në zë në atë periudhë, shkrimtar, studiues, laureat i çmimit Goncourt dhe anëtar i akademisë Goncourt; dhe nga Henri Mittérand-i, po ashtu një ndër personalitetet e spikatura të kohës në fushën e kulturës, profesor në universitet, kritik letrar, një ndër studiuesit më në zë, i njohur ndërkombëtarisht si specialist i veprës së Zolait dhe një ndër themeluesit e sociokritikës në Francë); më 1967 bëhet një tjetër botim me interpretime shkencore të mbështetura në shënimet dhe materialet e tjera të tij; në qershor 1976 organizohet një kolokuium i Cericy-së për natyralizmin e veprën e Zolait dhe botohen aktet e tij; më 1978, bëhet një botim i korrespondencave, realizuar nga një ekip studiuesish ndërkombëtarë me emër; vijojnë më tej një sërë botimesh e studimesh, për të arritur në një kolokuim të dytë të Cerisy-së në 2016, me titull “Lire Zola au XXIe siécle” (Të lexosh Zolain në shekullin XXI), me aktet e botuara nga Edition Classiques Garnier, 2018; ose në Gjermani, mes viteve 1945-1978 janë shkruar 314 vepra ose artikuj të kritikës shkencore dhe gazetareske për E. Zolain (Të dhënat janë mbështetur në Aurélie Barjonet “Zola d’Ouest en Est. Le naturalisme en France et dans les deux Allemagnes”, Presses universitaires des Rennes, coll. Interférences, 2010, f. 15-17).

  10. Përveç përmendjes së Emil Zolait krahas shkrimtarëve të tjerë realistë francezë të shekullit XX, në tekstet që përdoreshin për të dhënë njohuri për historinë e letërsisë botërore në shkollat e mesme në Shqipëri, në dokumentet e arkivit të Shkollës Normale, Elbasan (themeluar më 1909), gjejmë këtë dëshmi që lidhet me mësimin e llojeve letrare, ku, për romanin shoqëror, sërish Zolai përmendej si ndër më përfaqësuesit në letrësinë franceze : “Romanca shoqnore u punue përsëtepërmi në Francë prej auktorësh të përmendun, si prej Dumas-it e të birit, të Viktor Hugojt, të Balzakut, të Sue-it e të Emil Zola-it” (Arkivi i Shkollës Normale, Elbasan, Mësimi i Letërsisë, viti 1929-1930, dosja 167, f. 9).

  11. “Një tufë lule”, Rrëfenja të zgjedhura nga letretyra e përbotshme, Blen I, Botime të “Telegraf", Tiranë, 1927.

  12. Branko Merxhani, “Tre qytetërime”, Neo-Shqiptarizma, korrik 1930 (cituar nga Branko Merxhani, Vepra, përgatitur për botim nga A. Plasari dhe N. Kulla, Plejad, 2003, f. 111).

  13. “Veprat e Zolajt janë më të lartra se Alpet”, Gazeta e Korçës, 1931; nr. 1191, 2 maj, f. 2.

  14. E. Koliqi, “Pasqyrat e Narçisit”, Pasthanie. Shêjzat. Romë, 1963.

  15. Shih në Index : “Bija e Emil Zola-it”, Shkëndija, E përkohshme kulturore, viti III, Dhetuer 1942, XXI, Nr. 2, f. 57-60.

  16. Hans Robert Jauss “Pour une esthétique de la réception”, NRF, Gallimard, 1978, f. 31.

  17. Sipas H. R. Jauss-it, “vepra aktualizon tensionin midis ‘qenies’ së saj dhe ‘të kuptuarit’ tonë, në mënyrë të tillë që një domethënie që nuk ekziston paraprakisht, përvijohet në bashkëpërkitjen a përputhjen e tekstit dhe receptimit të tij ; dhe ‘kuptimi’ i veprës së artit nuk konsiderohet si një lëndë a përftesë përtejkohore, por si një e tërë që përvijohet në vetë këtë histori” (H. R. Jauss, vep. e cit. faqe 213). Ndërsa për Wolfgang Iser-in, objektivi i estetikës së receptimit është të studiohen efektet. Sipas tij “Kuptimin nuk duhet ta shpjegojmë, por ta përjetojmë” (W. Iser, L’Acte de lecture. Théorie de l’effet esthétique, Bruxelles, P. Mardaga, (1976), 1985, f. 31).

  18. Është i një tjetre natyre përvijimi i dijeve që studiojnë të kuptuarit e tekstit nga lexuesi i zakonshëm që vihet në kontakt me një mesazh të shkruar, qoftë edhe me një vepër letrare. Në këtë rast flitet për të shqyrtuar dhe vlerësuar proceset konjitive që mundësojnë të kuptuarit e tekstit, duke u përqendruar te aftësia dhe mundësia e individit për të ndërtuar kuptimin përmes dekodimit të mesazhit shkrimor, ndikimit të faktorëve që kanë të bëjnë me situatën e të lexuarit, llojin e informacionit dhe proceset e të kuptuarit, duke i parë të ndërlidhura produktin e përftuar me ato procese që mundësojnë ecurinë e të kuptuarit të tekstit (shih Nathalie Blanc et Denis Brouillet Comprendre un texte, L'évaluation des processus cognitifs, In Presse Éditions, 2005, f. 13-14).

  19. Shih Y. Chevrel, “La littérature comparée” PUF, Collection Que sais-je, 2016; veçanërisht Chapitre II, f. 25-44; citimi, f. 25.

  20. Edhe pse një projekt i Hans-Robert Jauss-it qysh në vitet 1960, “estetika e receptimit” vjen si një produkt më i gjerë shkencor: më 1975, Reiner Warning-u, një tjetër përfaqësues i Shkollës së Konstancës, boton përmbledhjen me studime “Rezeptionsästhetik”(Estetika e receptimit), me kontribute të Jauss-it, Wolfgang Iser-it, Rainer Warning-ut, por edhe të Hans-Georg Gadamer-it, Felix Vodicka-s, Michael Riffaterre-it dhe Stanley Fish-it.

  21. Në Francë, p.sh., kontributet e Jauss-it janë përmbledhur në dy vëllime në frëngjisht: Pour une esthétique de la réception, Gallimard, 1978; dhe Pour une herméneutique littéraire, Gallimard, 1988. Ndërsa të W. Iser-it në L’acte de lecture, Théorie de l’effet esthétique, Bruxelle, Pierre Mardaga éditeur, 1985.

  22. Shih më gjerë Dictionnaire des Genres et notions littéraires, Nouvelle édition augmentée, Encyclopaedia Universalis, Albin Michel, 2001, f. 396-397.

  23. Pohimet janë mbështetur në parashtresën e bërë për receptimin e veprës letrare nga Rita Schober-i, në La réception de l’oeuvre littéraire (Recueil d’études du colloque, organisé par l’Université de Wroclaw dans la rédaction de Jozef Heistein), Wroclaw, 1983, f. 12-13.

  24. A. Compagnon, vep. cit., f. 173.

  25. Në lidhje me konceptet “Lexues Model” dhe “lexues implicit”, N.P.-Gross-i thekson se “sipas tipologjive të sajuara nga Umberto Eco-ja, bëhet fjalë për lexuesin që është i aftë të bashkëpunojë për aktualizimin e tekstit. [...] Lexuesi Model dallohet pra plotësisht prej lexuesit real: ai nuk është një lexues me mish e kocka -, cilatdo qofshin aftësitë që ky apo ai lexues mund të bartë -, por ‘një strategji, një tërësi kushtesh që mundësojnë suksesin ose fatin e veprës (felicity conditions), të pranishme a përvijuara tekstualisht, të cilat duhet të përmbushen në mënyrë që një tekst të jetë plotësisht i aktualizuar në brendinë e tij potenciale’, thekson U. Eco-ja (në “Lector in fabula”, Le role du lecteur, Grasset, 1985:77). Ky nocion është mjaft pranë me atë të W. Iser-it të emërtuar ‘lexuesi implicit’. Për autorin e “L’Acte de lecture” (Akti i të lexuarit), lexuesi implicit është gjithashtu një strukturë tekstore. Ai është i dallueshëm prej lexuesit real, me të cilin, teorikisht, nuk mund të identifikohet në asnjë rast. Ai nuk është abstraksion i lexuesit real. [...] Ai është një ‘ndërtim’ i tekstit. Është në fakt një strukturë tejet e domosdoshme që përcakton pjesërisht rolin që duhet të luajë lexuesi (real) dhe që angazhon dukshëm receptimin e tij” (cituar nga “Le lecteur”, Textes choisis & présenté par Nathalie Piégay-Gross, Corpus, GF Flammarion, 2002, f. 234-235).

  26. Qasjet hermeneutike parakuptojnë “interpretimin e veprës letrare si art dhe praktikë të interpretimit të teksteve, që synon lidhjen me aspektin material të ngjizjes së tekstit dhe frymës që ai bart, mes shpjegimit historik dhe interpretimit të tanishëm […]; ndërsa retorika merr përsipër prodhimin e diskurseve, hermeneutika u qaset atyre për të ndriçuar a qartësuar procesin e të kuptuarit të tyre”. Fenomenologjia (në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, “shkencë e fenomeneve”), përbën njërën prej traditave kryesore të filozofisë europiane të shekullit XX, me prurje më së pari të Edmund Husserl-it, por edhe të tjerëve, si Roman Ingarden-it, Martin Heidegger-it, Paul Ricoeur-it, Emmanuel Levinas-it, Jean-Paul Sartre-it, Maurice Merleau-Ponty-t etj.; prurjet e saj për letërsinë janë “qoftë të tërthorta, përmes trajtimeve për logjikën a ligjërimin, qoftë në kuadër të reflektimit më të përgjithshëm në lidhje me statusin e veprës së artit. [...] nëpërmjet hermeneutikës gjermane, fenomenologjia sjell përgjigje të mirëfillta për çështjen e të lexuarit të veprës letrare. Në hullinë e R. Ingarden-it, estetika e të lexuarit (e quajtur gjithashtu ‘receptim’) mbështetet në idenë që teksti letrar është gjithnjë i papërkryer, në pritje të aktit të të lexuarit që e realizon apo e përmbush atë, jo pa prekur, nga ana tjetër, edhe atë që lexon, çka ndikoi më së shumti në studimet e Shkollës së Konstancës (pohimet për hermeneutikën dhe fenomenologjinë janë mbështetur në zërat përkatës në Dictionnaire du littéraire, 2002, vep. cit., përkatësisht f. 270 dhe 453-454).

  27. Madje në studime theksohet se përdorimi i termit hermeneutikë bart shumë më tepër domethënie se termi “interpretim”. Në pikëvështrimin hermeneutik, interpretimi duhet të bartë edhe zërat e mëparshëm për atë çështje që interpretohet: “ndryshe prej asaj çka parakuptohet më së shpeshti, emërtimi interpretatio nuk i korrespondon saktësisht hermenia që në aspektin etimologjik lidhet me hyjin Hermes […] (lajmëtarin e Zotave dhe ndërmjetësuesin e tyre me njerëzit, shën. ynë TP), që i jep hermeneutikës idenë e një akti, të ndërmjetësimit, të transmetimit të asaj çka ka qenë thënë prej të tjerëve, me angazhimin edhe të vetes në ngjizjen e kuptimit. […] Po ashtu edhe emërtimi interpretatio nuk ka mbuluar gjithnjë të njëjtën fushë semantike. […] fillimisht është përdorur për të përshkruar përpjekjet që mundësojnë të qartësohet brendia konceptuale e teksteve që nuk e shfaqin dukshëm atë ; në mesjetë kuptimi ka ndryshuar, duke e parakuptuar atë përpjekje si “përkthim”, ngjizje me fjalë të tjera ; pastaj për të shënjuar përmbushjen e çdo procesi intelektual që parakupton jo vetëm të kuptuarit nëpërmjet qasjes gjuhësore, por edhe doktrinale të një teksti ose të një sistemi teorik” (shih Ph. Robert-Demontrond, “Introduction” në L’interprétation du discours, sous la direction de Philippe Robert-Demontrond, Editions Apogée, 2006, f. 8-9, dhe shën. 1 po aty).

  28. Të dhënat janë mbështetur në zërin “Reception”, në Dictionnaire du littéraire, 2002, f. 514.

  29. Ecuria e receptimit të veprës së E. Zolait vijon të mbetet objekt shqyrtimi edhe në studimet e sotme letrare në Francë. Aurelie Barjonet-i, një ndër studiueset e spikatura në etapën e tanishme e veprës së Zolait ka botuar në vitin 2010 Zola d’Ouest en Est, Le naturalisme en France et dans les deux Allemagnes (vep. e cit.). Ajo ka drejtuar gjithashtu (së bashku me Karl Zieger-in) botimin e një përmbledhjeje me studime për receptimin e këtij shkrimtari në BRSS, Poloni, Republikën Demokratike Gjermane, Çekosllovaki, Hungari, Rumani, Bullgari e Shqipëri, nën titullin Zola derrière le rideau de fer, Presses universitaires du Septrion, 2022 (Mes këtyre studimeve, shkrimi ynë për receptimin e E. Zolait në Shqipëri është një variant i shkurtuar i trajtesës së tanishme, i titulluar në atë botim “Albanie: une réception communiste aux antipodes”, f. 165-183). Gjithashtu, A. Barjonet-i është përgatitëse për botim (së bashku me Jean-Sébastien Macke-n) edhe i përmbledhjes Lire Zola au XXI siècle, Garnier 2018.

  30. D. Maingueneau Le discours littéraire, Paratopie et scène d’énonciation, Armand Colin, 2004/2014, f. 56.

  31. Vetëm cikli i Rugon-Makarëve i paraqitur si “Histori natyrore e sociale e një famljeje në Perandorinë e dytë” përfshinte 20 vëllime (shkruar në vitet 1871-1893); atij cikli i shtohen edhe dy cikle të tjera që trajtojnë sërish histori të një familjeje, por me mëtimin e paraqitjes së një organizimi social ideal: cikli “Tri qytetet” (Lourdes, Romë, Paris – shkruar në vitet 1894-1898) dhe cikli “Katër ungjijtë” (Fertiliteti, Puna, Evërteta, Drejtësia – shkruar në vitet 1899-1903, por, gjithsesi, i papërfunduar).

  32. Në Francë, Zolai ishte shkrimtari më i lexuar përgjatë periudhës së Republikës III (1870-1940); por edhe ndër më të studiuarit në gjysmën e dytë të shekullit XX, me interpretime të reja edhe në lidhje me çështjet e metodës së tij krijuese, të stilit etj.

  33. E. Zolai ishte shkrimtari ndër më të lexuarit edhe në Rusi (ku botoi paraprakisht edhe një pjesë të shkrimeve a veprave të tij), por edhe ndër më të lexuarit në periudhën sovjetike (në vitin 1933, ai qe shkrimtari më i lexuar në BRSS); edhe pas Luftës së Dytë Botërore, fama e tij dhe rehabilitimi i figurës e veprës së tij u zgjerua së tepërmi në të gjitha vendet e ish Kampit socialist.

  34. Le të kujtojmë që edhe Francesco de Sanctis-i shprehej mospajtues me metodën krijuese të Zolait, edhe pse vlerësonte romanet e tij. “[...] në “Studim për Emil Zolain”, por edhe më shumë te “Darvinizmi në arte”, ai distancohet përsa i përket natyralizmit, por ruan simpatinë e tij për “Rugon Makarët”, - theksohet në Dictionnaire des Genres et notions littéraires. Nouvelle édition augmentée, Encyclopaedia Universalis, Albin Michel, 2001, f. 191.

  35. A. Barjonet, 2010, vep. cit., f. 15.

  36. Të dhënat dhe pohimet përgjithësuese për receptimin e veprës së Zolait në Francë e jashtë saj, pra pohime që kërkojnë shqyrtime gjithëpërfshirëse e të mirinformuara, janë mbështetur në veprën e Aurélie Barjonet-it Zola d’Ouest en Est..., 2010 (vep. cit.).

  37. Po aty, f. 10.

  38. Po aty, f. 11.

  39. Po aty, f. 18.

  40. Në “Zola socialiste. Une conversation avec l’auteur de ‘Germinal’ et de ‘La Terre’, La Lanterne, 8 janvier 1887, f.1 (cituar nga A. Barjonet, vep. cit., f. 11-12).

  41. A. Barjonet, 2010, vep. cit., f. 12.

  42. Po aty.

  43. Shih Henri Mitterand Zola, tel qu’en lui même, PUF, 2009, f. XII, XIV e XVI (cituar në A. Barjonet, 2010, vep. cit., f. 22).

  44. Sipas A. Barjonet-it, në momentin kur doktrina natyraliste mpaket a zhduket (pas Rugon-Makarëve) “cilësia e veprave bie. Te Rugon-Makarët, dokumentet mbi realen janë grumbulluar nga një ‘dijetar’ dhe shërbejnë si trampolinë në procesin krijues. Pas ‘Rugon-Makarëve’, dokumentet janë interpretuar nga një ‘profet’, meqenëse nuk bëhet më fjalë që të studiohet e shkuara, për të rivalizuar me shkencat [...], por të imagjinohet organizimi më i mirë i mundshëm social. [...] Romanet e fundit janë romane me refleksion filozofik, politik, shkencor etj., siç quhen ndryshe ‘romane të ngritura mbi një a shumë teza’, te të cilat Zolai mëton para së gjithash të lëvrojë vizionin e tij për të ardhmen e mundshme, një e ardhme e përvijuar nga puna, drejtësia dhe respekti për jetën. Shkenca nuk është e papranishme në rrëfim, por ajo nuk ndikon mbi të rrëfyerit. Për pasojë Zolai bie shpesh në ‘paraqitje didaktike.’” (Shih A. Barjonet, 2010, vep. cit., f. 15).

  45. Qysh në paragrafët e parë të “Romani eksperimental” (Le roman expérimental) Zolai thekson: “Në studimet e mia letrare, unë kam folur shpesh për metodën eksperimentale të zbatuar në roman dhe dramë. Kthimi në natyrë, evoluimi natyralist që sjell ky shekull, çon përpara pak nga pak të gjitha manifestimet e inteligjencës njerëzore tamam në një hulli shkencore. Vetëm ideja e një letërsie të nxitur nga shkenca ka mundur të na zbulojë befasisht diçka, edhe pa qenë e saktësuar dhe e kuptuar. [...] metoda eksperimentale ka qenë përvijuar me forcë e qartësi të mrekullueshme nga Claude Bernard-i, në “Hyrje në studimin e mjekësisë eksperimentale”. Ky libër i një dijetari, autoriteti i të cilit është vendimtar, do të më shërbejë si bazë e qëndrueshme. [...] do të më mjaftojë të zëvendësoj fjalën “mjek” me fjalën “romancier” për ta bërë mendimin tim të qartë dhe t’i jap saktësinë e një të vërtete shkencore” (Emile Zola, Le roman expérimental, Paris, G. Chartentier Editeur, 1881, f. 1-2).

  46. Domethënëse është konsiderata e shprehur prej F. Engelsit, që ndikoi për shumë kohë në vlerësimin me shumë rezerva të marksistëve ndaj veprës së Zolait. Engelsi shprehet: “Balzaku, të cilin e konsideroj një mjeshtër shumë më të madh të realizmit sesa çdo Zola i së shkuarës, i së tashmes dhe së ardhmes, në “Komedinë njerëzore” na jep një histori tejet realiste të shoqërisë franceze [...]” (Në letrën që F. Engelsi i dërgon Miss Harkness-it, në prill 1888. Cituar nga A. Barjonet, vep. cit., f. 18).

  47. R. Escarpit-i ndër themeluesit e sociologjisë moderne të të lexuarit, thekson : “Ne e kemi parë që publiku i huaj nuk ka një përafrim të drejtpërdrejtë me veprën. Ajo çka ai kërkon, nuk është ajo që autori ka dashur të shprehë (në rastin përkatës). Nuk ka përputhje, përkitje, mes synimeve të lexuesve dhe atyre të autorit, por mundet të ketë në këtë rast pajtueshmëri. Domethënë që ata mundet të gjejnë në vepër atë që ata dëshirojnë të jetë, edhe kur autori nuk ka dashur ta vendosë atë enkas në vepër, ose të mos e ketë menduar atë kurrë. Ka në këtë rast një tradhti, por, padyshim, një tradhti krijuese” (R. Escarpit, Sociologie de la littérature, Que sais-je, 1986, faqe 112; cituar nga Laurence Van Nuijs, “La sociologie de la littérature selon Escarpit, Structure, évolution et ambiguités d’un programme de recherche”, në Poétique, 2007/1 (n°149) f. 107-127, citimi f. 114).

  48. Ndërkohë, mes viteve 1946-1952 lexuesit shqiptar iu dhanë të përkthyera në gjuhën shqipe vepra të Gorkit, Ostrovskit, Fadajevit, Furmanovit, Gorbatovit, Solovievit, Katajevit, Sholohovit, Panferovit, Simonovit, Gonçarit, Axhajevit, Voloshinit etj., autorë të njohur ose pak të njohur ruso-sovjetikë.

  49. Fadajev, Literatura Jonë, nr. 1, Tiranë, 1947.

  50. A. Perencev, “Emil Zola (me rastin e 50-vjetorit të vdekjes)”, Literatura jonë, 1952, nr. 12.

  51. D. Shapllo, Studime e artikuj për letërsinë e huaj të shekullit XX, Shtëpia botuese “N. Frashëri”, Tiranë, 1980, f. 15.

  52. Gazeta Drita, 1 gusht, 1976, f. 14.

  53. A. Perencev, art. cit., f. 71-72.

  54. A. Uçi, Labirintet e modernizmit, Kritika e estetikës moderniste, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Botim i dytë, Tiranë, 1987, f. 12. 55 D. Shapllo, art. cit., f. 15.

  55. A. Uçi, 1987, vep. cit., f. 58.

  56. Po aty, f. 58-59.

  57. Po aty, f. 241.

  58. Po aty, f. 244.

  59. Po aty, f. 243.

  60. Po emërtojmë me këtë term studimet letrare që ishin produkt i studiuesve të mirinformuar për proceset e dukuritë letrare, edhe pse ajo dije e tyre kornizohej/duhej të kornizohej përgjithësisht pa mëdyshje në hapësirën e estetikës marksiste-leniniste.

  61. Në mënyrë të veçantë në analizat për romanet “Shkëlqesia e tij” dhe “Shpartallimi”, të shkruara nga Javer Malo apo për romanin “Karriera e Rugonëve”, shkruar nga Dorina Paço, lihet të kuptohet se autorët kanë ndjekur nga afër periudhën e rehabilitimit të Zolait në kontekstin francez dhe njohin nga afër kontributet e autorëve të tillë, si Armand Lanoux (dhe vepën e tij Bonjour mansieur Zola, 1954, 1978); Henri Mitterand (në l’édition de la Pléiade te Emile Zola) etj.

  62. Në vitet 1945-1990 janë botuar këto vepra të Zolait të përkthyera në shqip: “Rrethimi i mullirit/L’Attaque du moulin”, në Pjesë të zgjedhura prej klasikëve francezë, 1954; Zherminal/Germinal, 1958; Paraja/L’argent, 1965; Shkëlqesia e tij/Son Excellence Eugène Rougon, 1971; Karriera e Rugonëve/La Fortune des Rougon, 1977; Shpartallimi/La Débâcle, 1987; të gjtha të botuara në Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë.

  63. “Parathënie” në botimin në gjuhën shqipe të E. Zola, Zherminal, N.SH. Botimeve “Naim Frashëri”, Tiranë, 1958, f. 5.

  64. “Parathënie” në botimin në gjuhën shqipe të E. Zola, Shpartallimi, f. 6.

  65. “Parathënie” në botimin në gjuhën shqipe të E. Zola, Zherminal, f. 11.

  66. Po aty, f. 11.

  67. “Parathënie” në botimin në gjuhën shqipe të E. Zola, Shkëlqesia e tij, N.SH. Botimeve “Naim Frashëri”, Tiranë, 1971, f. 7.

  68. Po aty, f. 12.

  69. Po aty.

  70. “Parathënie” në botimin në gjuhën shqipe të E. Zola, Zherminal, f. 6-7.

  71. “Parathënie” në botimin në gjuhën shqipe të E. Zola, Shpartallimi, f. 17-18.

  72. Shih më gjerë, A. Barjonet, 2010, vep. cit., f. 12.

  73. N. Gami, Historia e Letërsisë së huaj, shekulli XIX, 2, SHBLU, 2004, 2007, f. 45 (N. Gami i botoi të përmbledhura në këto vite ligjëratat e tij të mbajtura më parë në auditorët universitarë në vitet 1980).

  74. Po aty, f. 46-47.

  75. Po aty, f. 8-9.

  76. S. Caci, “Emile Zola” (1840-1902), gazeta Bashkimi, 27 dhjetor 1945, f. 3.

  77. Po aty.

  78. Shih A. Mani, “Zolaja akuzonte”, shkrim i botuar në gazetën Bashkimi, 11 tetor 1987, f. 3; Koli Xoxe, “Emil Zolaja në çështjen Drejfys”, në gazetën Rilindja Demokratike, 5 nëntor 1992, f. 3.

  79. J. Malo, “Zherminal – romani i madh i Emil Zolasë në ekran”, gazeta Drita, 1965, 14 nëntor, f. 13.

  80. Po përqendrohemi veçse në artikujt që janë shkruar enkas për Zolain, e nuk po përmendim rastet kur trajtesat në lidhje me Zolain janë në shkrime më të përgjithshme a kur trajtohen autorë të tjerë, si Balzaku, Stendali, Mopasani, Floberi etj.

  81. H. Kekezi, “Emil Zola (1840-1902). Jeta e vepra”, gazeta Zëri i rinisë, 1965, 28 prill, f. 4.

  82. M. Xhaxhiu, “Forca e realizmit të Zolait (në 125-vjetorin e lindjes)”, gazeta Drita, 1965, 25 prill, f. 14.

  83. J. Malo, “Zherminal – romani i madh i Emil Zolasë në ekran”, gazeta Drita 1965, art. cit.

  84. N. Gami, “Shkëlqesia e tij”, gazeta Drita, 1972, 12 mars, f. 11.

  85. A. Mani, art. cit.

  86. Po aty.

  87. J. Malo, “Emil Zola – gjithmonë i ri (në 125-vjetorin e lindjes)”, gazeta Zëri i popullit, 1965, 21 prill, f. 3.

  88. Pas ndërrimit të sistemit në vitet 1990, krahas botimit a ribotimit të veprave të Zolait, në faqet e gazetave shqiptare jepet informacion për romanet, por ai informacion është i orientuar drejt publikut për ta tërhequr atë në blerjen e librit, sesa analizë a vlerësim shkencor i vlerave të romanit përkatës. Megjithatë, duke patur më shumë mundësi për të grumbulluar material, nuk mungojnë kërkimet e gjetjet që synojnë ta sjellin më afër lexuesit shqiptar këtë autor. Për shembull, në gazetën “Ballkan” jepet informacioni që Zolai ka gjak shqiptar. Duke ndjekur gjenealogjinë e Zolait, të dhënat e Mihal Dimitri Sturza, në “Dictionnaire historique et généalogique des grandes familles de Grece, d’Albanie et de Constantinopole”, Paris, 1983, faqe 307-308, Zolai rezulton me gjak stërgjyshi shqiptar. Bëhet fjalë për një familje të madhe, të njohur për personalitetet e shumta përgjatë shekujve. Emil Zolai bën pjesë në brezninë e katërt të kësaj martese: stërgjyshi i tij, kapiteni Antonio Zola, i njohur gjithashtu me emrin Giovani Antonio Zolla (1727-1787) u martua me Antonia Palatiano; prej martesës së tyre u lindën gjyshi i Emil Zolait, kapiteni Carlo Zola (i njohur gjithashtu me emrin Dimitrio Carlo Zolla) (1752-1810) dhe dy fëmijë të tjerë; Carlo Zolla u martua në një martesë të dytë me Nicoletta Bondioli-n dhe prej kësaj martese u lindën babai i shkrimtarit, François Zola (1795-1847) dhe tre fëmijë të tjerë. François Zola-i u martua me Emilie Aurélie Aubert-in sollën në jetë Emile Zolain”. (M. Zeqo, “Zbulimet e reja kulturore – Emil Zola me gjak shqiptari”, gazeta Ballkan, nr. 227, 21 shtator 2006, f. 16.)

  89. Ribotimi i romaneve Shkëlqesia e tij/Son excellence Eugene Rougon (Dudaj, 2002); Karriera e Rugonëve/La fortune des Rougon (Ombra GVGn 2006); Paraja/L’Argent (Dituria, 2005) nuk është shoqëruar me parathëniet që ishin të pranishme në botimin e parë të tyre para viteve 1990. Po ashtu pa mesazhe paratekstore janë edhe romanet e përkthyera rishtaz dhe botuar për herë të parë në gjuhën shqipe: Tereza Raken/Thérèse Raken (Ardita 1997); Lumturia e damave/Au bonheur des dames (OMSCA, 1999);“Mallkuar dita që më lindi, synopsis nga ‘Lumturia e damave/Au bonheur des Dames (Shtjefni, 2007; Emal 2010); Nana/Nanà (Ilar 2017); Familja e tmerrshme/Thérèsa Raken (Uegen, 2018).

Downloads

Botuar

2023-12-05

Si të citoni

Plangarica , T. (2023). Për receptimin e veprës së Emil Zolait në mjedisin kulturor shqiptar. Studime Filologjike, 1(1-2), 85–118. https://doi.org/10.62006/sf.v1i1-2.3091