Katekizmi i Elbasanit me alfabetin e Todhrit nga mesi i shekullit XIX

Autorët

  • Yll Rugova

DOI:

https://doi.org/10.62006/sf.v1i1-2.3092

Abstrakti

Në mesin e kodikëve që ndodhen në AQSH është edhe një fletore nga Elbasani me shkrime në gjuhën greke, në mesin e të cilave janë edhe disa faqe në shqip me alfabetin e Todhrit. Përmbajtja e shkrimit është një katekizëm i botuar nga Adamantios Korais (1748–1833) përkthyer në shqip nga një autor i panjohur elbasanas. Në këtë artikull do ta botojmë të plotë tekstin shqip të fletores të transliteruar dhe do ta përcjellim atë edhe me të dhëna që dihen mbi këtë fletore dhe mbi pronarin e fundit të saj. Përkthimi ka rëndësi sepse në aspektin pamor përbën shembullin më të mirë të shkrimit me alfabetin e Todhrit që njohim deri sot. E gjithashtu në aspektin përmbajtësor shpërfaq fragmente të rralla që ndriçojnë arsyet e autorëve të kohës në angazhime të tilla përkthyese. Botimi i plotë i këtij teksti, kemi shpresë, mund të ndikojë edhe në zbardhjen e të dhënave të tjera që lidhen mbi të gjitha me kohën dhe me autorin e përkthimit.

Fjalët kyçe:

Katekizmi i Elbasanit, Theodhor Haxhifilipi, Papa Partheni, Petër Shuteriqi, alfabeti i Todhrit

Shkarkimet

Download data is not yet available.

Metrics

Metrics Loading ...

References

  1. Për një përshkrim të plotë të fletores shih Çunga 2018, 7-8.

  2. Për një biografi të hershme, të zgjeruar enciklopedike të Koraiut khs. De Sinner 1936, 358–375; Një përmbledhje më e re, me ca të dhëna bibliografike khs. Franghiscos 2005, 93–128. Studiuesi slloven Rajko Nahtigal në vitin 1923 i konsideronte Koraiun dhe Haxhifilipin si bashkëmoshatarë, dhe përfaqësues të së njëjtës frymë ideologjike, khs. Nahtigal, 2015, 86–87.

  3. Koraiu kishte pasur ndikim edhe në rininë e Thimi Mitkos, qysh vërehet nga një letër e këtij të fundit nga viti 1844 (Qirjazi, 2015a, 48).

  4. Një vit më vonë Korai ka botuar edhe një katekizmi në greqisht Συνοψις της Ἱερας Ἱστοριας και της κατηχησεως shtypur këtë herë në Venedik. Por nga përmbajtja e tekstit, është e qartë se autori elbasanas nuk e ka pasur para vetës këtë vepër.

  5. Në të njëjtin vit dhe të njëjtën shtypshkronjë është shtypur edhe Bibla shqip e Meksit dhe Gjirokastritit.

  6. Janë disa shkrime në AQSH që mbajnë emrin e Papa Parthenit, njëra prej të cilave është një meshë e Shën Efremit e shkruar në 18 faqe e datuar 6 shkurt 1878. Fondi Papa Parthemi (sic), D1–59, 78–83.

  7. Për dhe dhe edhe te përkthimi elbasanas njësoj si te Haxhifilipi përdoren nde dhe ende. Këtë formë shumë rrallë e hasim në tekstet tjera elbasanase të kohës. Për Shuteriqin kjo ishte një ndër karakteristikat e Haxhifilipit (Shuteriqi, 1959, 191).

  8. Një dallim që bien në sy është te fjala zemër, e cila te përkthimi elbasanas mban formën e sotme, kurse te Haxhifilipi shënohet si zembër (khs. Omari, 2018, 284; Shuteriqi 1959, 197). Fjala koho që njësoj është e shpeshtë në këtë përkthim haset edhe në shkrimet tjera të Elbasanit. E njëjta vlen edhe për fjalët iktiza e rixha. Për dallimet gjuhësore mes Todhrit dhe Parthenit shih edhe Gosturani, 1983, 87–99.

  9. Natyrisht përjashtim këtu bën Kostandin Kristoforidhi, i cili në vitin 1885 ka shërbyer si mësues në Elbasan, por në këtë kohë tashmë kishte qenë tërësisht i dhënë pas dy alfabeteve të tij shqipe të bazuara në shkrimin grek dhe atë latin. Nuk dimë për ndonjë tekst të Kristoforidhit me alfabetin e Todhrit, edhe pse dy dokumente, njëri nga viti 1849 dhe tjetri nga viti 1854 dëshmojnë se ai e ka njohur mirë atë (Rugova, 2023).

  10. Kjo fjali e shton edhe vetë Haxhifilipin në listë si autor të mundshëm të përkthimit. Ai gjithsesi njihet për fjalët që i ka “shtuar” dhe sajuar në tekstet e tij. Kjo do të nënkuptonte se ky përkthim i takon një periudhe më të hershme, diçka mes viteve 1782 dhe 1801. Rishtazi në AQSH e kemi rigjetur Meshën e Gjon Gojartit, si të vetmin dorëshkrim që në ballinë e mban emrin e Haxhifilipit. Shkrimi nën një lupë të re për këtë material është në botim, shih Rugova, 2023.

  11. Në një rast tjetër Shuteriqi vëren ndikimin e Haxhifilipit edhe te Partheni (cf. 1954, 46–51).

  12. Nga paragrafët që i paraqitëm në fillim vërehet se Shuteriqi i numëronte si dy tekste të ndara këto pjesë. Por krahasimi me veprën origjinale të Koraiut vërteton se kemi të bëjmë me një dhe të vetmin tekst, ku pjesa e parë përbën një lloj të parathënies, kurse pjesa e dytë është katekizmi.

  13. Përjashtim këtu bën germa O, e cila edhe në dorëshkrime të tjera dallon kur është e madhe te alfabeti i Todhrit. Njësoj përjashtim mund ta konsiderojmë germën I, e cila është stilizuar duke ndjekur I-në e madhe të shkrimit latin.

  14. Në vitin 1959 Shuteriqi e ka transliteruar thjesht si gështen (cf. Shuteriqi, 1959, 185).

  15. E-ja në fund duket të jetë shtuar më vonë, qysh vërehet nga ngjyra tjetërfare e shkronjës. Ka gjasë që kuptimi këtu origjinal është “enë” edhe jo “ene”.

  16. Kjo funsotë nuk është përcjellë me ndonjë tekst. Në botimin origjinal greqisht ka shumë fusnota të cilat janë hequr nga përkthyesi në parathënie.

Downloads

Botuar

2023-12-05

Si të citoni

Rugova, Y. (2023). Katekizmi i Elbasanit me alfabetin e Todhrit nga mesi i shekullit XIX. Studime Filologjike, 1(1-2), 119–136. https://doi.org/10.62006/sf.v1i1-2.3092