Mbi vendin dhe natyrën e prurjeve shkencore të gjuhësisë së zbatuar në shkencat e ligjërimit
DOI:
https://doi.org/10.62006/sf.v74i1-2.980Abstrakti
Synimi për të shqyrtuar vendin dhe natyrën e prurjeve shkencore të gjuhësisë së zbatuar në shkencat e ligjërimit, pra synimi për të përcaktuar statusin e kësaj disipline në mendimin gjuhësor të tanishëm në raport me dijen e njohuritë e përvijuara në një fushë të caktuar të kërkimit shkencor (shkencat e ligjërimit), nuk është përpjekje për të përmbushur thjesht një kureshti intelektuale, por është, më së shumti, nxitje për të përcaktuar qëndrime në lidhje me dijet në atë fushë e, për më tepër, grishje për t‘u futur në hapësira të cilat jo pak herë anashkalohen a shpërfillen: hapësira të natyrës epistemologjike a historike, por që i shërbejnë qartësimit të perspektivave të zhvillimit në të ardhmen. Ndodh jo rrallë që këto hapësira t‘i kemi larg vëmendjes qoftë nga prirja për t‘u përqendruar në atë çka është më drejtpërdrejt e kapshme në fushën e kërkimit për të cilën interesohemi, qoftë nga ngurrimi a mëdyshja që lind intuitivisht kur priremi të shpjegojmë marrëdhënie, lidhje a raporte të një disipline a të një dijeje me disiplina a dije të tjera, qoftë edhe nga fakti se përcaktimi i statusit të një disipline në tërësinë e fushës së kërkimit jo pak herë lë diçka të diskutueshme, të pasigurt në dinamikën që karakterizon zhvillimin e shqyrtimeve në një kohë të caktuar, sidomos kur bëhet fjalë për dije a disiplina të zbatuara.